Kryesore

Një pakt uniteti përballë armikut të përbashkët

               Publikuar në : 11:06 - 25/03/20 Preç Zogaj

Nga Preç Zogaj

Gjuha dhe komunikimi politik po manifestojnë çdo ditë simtomat e luftës së vjetër, për të mos thënë janë në orën e mbetur të politikës së llogoreve. Si të mos ketë mbërritur tashmë armiku i padukshëm planetar me emrin COVID 19 që mund të na shkatërrojë. “Partitura” duhet të ndryshojë, të gjithë duhet t’i ulin armët e vjetra. Qeveria dhe opozita.

Kryeministri Rama paraqiti një plan ekonomik me shtatë pika. Nuk mund të di impaktin që do të ketë ky plan në kurimin e morisë së gropave dhe gropëzave që po hap kriza e koronavirusit në buxhetet e familjeve, në xhepat e atyre që nuk shkojnë dot në punë, në bilancet e sipërmarrjes së vogël, të mesme e të madhe, në çdo celulë të shoqërisë. Plani me shtatë pika është një hap. Hapi i parë, që me siguri do të pasohet me hapa të tjerë. Veç po të ndodhë mrekullia që koronavirusi ta lerë me kaq.

Qeveria e ka për detyrë të jetë shumë e matur në këtë periudhë të shënuar nga paparashikueshmëria. Nga ky këndvështrim, edhe pse të pamjaftueshme, duhen përshendetur ndërhyrjet, masat dhe pagesat që po merr përsipër. Nuk është e mençur të lëshohet dora kur nuk e dimë ku e ka fundin kjo gjemë botërore.

Por në këndvështrimin e dikujt që nuk është ekonomist si puna ime, planit të qeverisë apo më saktë fjalës shoqëruese me të cilën e njoftoi kryeministri Rama i mungonte qartazi një gjë e vyer në këtë kohë: një falenderim për PD dhe opozitën që i ka kërkuar qysh në fillim qeverisë një plan ekonomik duke paraqitur propozimet e saj. Jo se zotit Basha apo zonjës Kryemadhi u nevoitet si individë një falenderim nga zoti Rama, por kjo do t’i duhej frymës, atmosferës së kohës. Do të ishte një mesazh për kohezionin që na duhet. Do të ishte mirësjellje në fund të fundit. Ështe qartë se çdo opozitë është gjithmonë para qeverisë në artikulimin e masave për të përballuar fatkeqësitë natyrore dhe pandemitë. Sepse opozita ka vetëm fjalën, kurse qeveria ka barrën e llogarive dhe zbatimit të masave. Sikush në punën e vet. Duhet të themi se në këtë pikë Partia Demokratike dhe kreu saj, Lulzim Basha, kanë qenë në një hap kohor me qeveritë e vendeve të BE-së dhe Perëndimit, të cilat lançuan njëherësh me masat kundër pandemisë edhe paketat e ndërhyrjes në ekonomi, duke u nisur nga parimi i shëndoshë se një kërcenim nuk mund të mundet duke lënë të ndodhë një katastrofë.

Mjerisht, në vend të fjalëve të xhentilesës për planin e opozitës, që nuk do të thotë doemos pranim i këtij plani ( por ka veç të mira dhe asnjë të keqe të merren gjërat e mira që propozon opozita, siç edhe janë marrë pas tërmetit dhe kësaj radhe gjithashtu), kryeministri dhe gjithë rrethi i tij kanë vazhduar të ofrojnë kafërdisjen me dhjamin e mbaruar të një lapsusi të Bashës këtu e dy tre vjet me parë. Vetëm të vdekurit nuk bëjnë lapsuse dhe përmendja pambarim e tyre si mjet politik është tregues nervozimi dhe paaftësia për të konfrontuar me argumente propozimet e kundërshtarit. Në rrafshin njerëzor është me keq se kaq. Boll me “shtatë herë shtatë” se është turp!

Nga ana tjetër, duke mos hequr dorë nga propozimet e saj për gjendjen, opozita nuk ka përse përdor një gjuhë distante me nota arrogante të tipit “ ja ku e ke, merre dhe zbatoje”, që le përshtypjen sikur opozita është për t’i vënë detyra qeverisë. Jo, nuk është kështu, opozita e kontrollon qeverinë, e konkuron me alternativat e saj, por nuk është për t’i venë detyra. Ky është një keqkuptim dhe një denatyrim shqiptar.

Koronavirusi ka treguar majën e ajsbergut deri tani dhe duket qartë se do të godasë akoma më fort ekonominë, mënyrën e të jeturit, ndoshta jetën e disa prej të njohurve dhe të dashurve tanë. Ajo që po kërkon opozita sot për të ndërprerë financimin e disa koncensioneve apo tenderave (opozita këtu duhet të jetë konkrete për cilët koncensione dhe tendera e ka fjalën), qeveria mund te jetë e detyruar ta bëjë në të ardhmen, nëse situata evoluon negativisht. Sepse jeta është e para.

Si rregull lufta kundër armikut të përbashkët i konservon, i ngrin ose i fshin fare armiqësitë dhe pengjet politike të mëparshme. A është pandemia e koronavirusit rasti? Unë mendoj se po. Shpërthimi në mbarë botën thotë “po”. Nëse duket shumë të flitet për fshirje, nuk është shumë të flitet për ngrirje të pengjeve politike që të gjithë i njohim. Është i nevojshëm një pakt i unitetit, pikat e të cilit mund t’i propozojë opozita. Është tamam në tagrin e saj ta bëjë këtë. Kjo kërkon zotërimin e një diapazoni të gjerë të sjelljes politike, që aktorët institucionalë me personalitet të opozitës kanë dëshmuar se e kanë kur është dashur. /Gazeta Liberale

Tags: , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back