Aktualitet

Një doracak për ata që duan të kuptojnë marrëveshjen!

Shkruar nga Liberale
Një doracak për ata që duan të kuptojnë

Alfred Peza

Arritja e marrëveshjes mes mazhorancës dhe opozitës, për reformën elektorale, ka kapur në befasi shumëkënd. Kjo është edhe arësyeja se përse rrjeti zien, sidomos kundër opozitës së rrugës në përgjithësi dhe Lulzim Bashës në veçanti.

Por përtej emocioneve të tipogrupeve ekstreme, fakt është se brenda dy muajve të ardhshme deri më 15 mars 2020, Shqipëria do të ketë një ligj të ri zgjedhor plotësisht konsensual dhe sipas standardeve më të mira ndërkombëtare.

Krijimi i Këshillit Politik me përfaqësues të opozitës, drejtuesve të Komisionit të Reformës Zgjedhore dhe përfaqësuesve të Grupeve Parlamentare në Kuvend, shënoi “de facto” fundin e rrugës së rrugës për “Opozitën e Bashkuar.

Ky Këshill është nga sot, deriçka nga ku PD, LSI dhe aleatët e tyre do të përdorin për tu rikthyer sërisht në sistemin politik, demokratik e më pas Parlamentar. Hap ky që shënon fundin e “revolucionit të molotovëve” dhe kapitullimin pa kushte të strategjisë që synoi fitoren e zgjedhjeve në tavolinë, përmes skenarit të injektimit të një krize artificiale të diktuar nga lart, në sistemin e vendit.

Krijimi i Këshillit Politik, tregoi se periudha 1 vjeçare e daljes së opozitës zyrtare nga Parlamenti, ka prodhuar tashmë një realitet të ri politik. Tani e tutje, politika shqiptare nuk është më tri, por katër polare. Ajo përbëhet nga: 1.- PS. 2. PD + aleatët. 3. LSI + Presidenti i Republikës. 4. Opozita e re parlamentare.

Fakt është se njëri prej poleve, ai i mazhorancës socialiste, është sot edhe më solid se një vit më parë për arësyen e thjeshtë se është fitimtari. Ndërsa tri polet e tjera, janë të gjitha pjesë e opozitës së fragmentarizuar akoma edhe më tepër. Pasi përveç faktorëve të deridjeshëm, pjesë e paanashkalueshme e lojës, është bërë edhe një aktor i ri, por tepër përcaktues në vendimarrjet e ardhëshme: Opozita e re parlamentare!

Nisur nga qëndrimet paraprake të palëve, pavarësisht se miratimi i reformës kërkon 84 vota në Kuvend, duket se nuk do të kemi një ndryshim të sistemit elektoral. Megjithëse mazhoranca mirëpret dhe është e hapur për të diskutuar çdo opsion që do të hidhet mbi tryezë.

Duhet kuptuar se e gjitha çfarë ndodhi, nuk ishte diçka rastësore, por frut i koherencës realpolitike të mazhorancës me mbështetjen dhe përkrahjen efiçiente të faktorit ndërkombëtar. Vijimi i mëtejshëm i “Opozitës së Bashkuar” në rrugë, do të sillte brenda këtij viti politik rënien e pandalshme të mbështetjes popullore për të, gjë që pritej thjeshtë sa të çertifikohej formalisht e zyrtarisht, në zgjedhjet e qershorit 2021.

Krijimi i Këshillit Politik as nuk e shmang e aq më pak, nuk e zëvendëson dot Komisionin Parlamentar të Reformës Elektorale. Ai do të shërbejë si një mekanizëm politik, për të përthithur kontributin dhe dakordësinë e opozitës jashtparlamentare, nëpërmjet një hapësire ekstra, e cila nuk bie ndesh me normat demokratike dhe frymën e parlamentarizmit në Shqipëri.

Ky hap i hedhur nga klasa politike në Tiranë, ndikon në relaksimin e situatës së përgjithshme në vend, lë pas ngërçin politik dhe hap një mundësi të re, për prespektivën e integrimit europian të vendit, në prag të takimeve dhe vendimarrjeve shumë të rëndësishme përgjatë javëve dhe muajve të parë të 2020 në vijim.

Arritja e kësaj marrëveshje që I hap rrugën dialogut të munguar, edhe për shumë çështje dhe zgjidhje të tjera, është mirëpritur nga faktori ndërkombëtar. SHBA, BE, OSBE dhe Britania e Madhe e kanë duartrokitur këtë hap, duke inkurajuar palët për të shkuar drejt një reforme që do të sjelli më pas “zgjedhje të lira nga mashtrimi, ndërhyrja dhe korrupsioni”.

Të vetmit nga faktorët kryesorë në lojën e politikës së madhe të Tiranës, që kanë folur deri tani me heshtjen e tyre shembullore, janë Ilir Meta dhe Sali Berisha të cilët janë të mirëkuptuar.

Pak përpara arritjes së marrëveshjes, Presidenti i Republikës bëri thirrje nga facebook-u i tij për “dialog urgjent, për zgjidhje dhe kthimin e shpresës për të gjithë shqiptarët”! Ai shtoi se “9 kushtet e Bundestagut janë harta e rrugës së Shqipërisë europiane! Koha është tani!” Por nga momenti që kjo u materializua, Ilir Meta heshti dhe vijon të heshtë, duke mos thënë asnjë fjalë për konsensusin e arritur përmes dialogut.

Shenjë e sigurtë se shqiptarëve, nuk u ka ndodhur kurrë deri më sot në histori, që tu qeshë buza plotësisht për aq kohë sa dikush është gjithmonë i gatshëm, që tua ngrijë atë në buzë! Por, mos harrojmë pas kësaj diçka thelbësore: Marrëveshja ishte mbi gjithçka, triumfi i reformës në drejtësi, ndaj skenarit të bllokimit dhe zhbërjes së saj. Ndaj, askush nuk mund të rikthejë dot në 2020, Shqipërinë e 2019!

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH