Kryesore

Nga Diktatura në Demokraturë

               Publikuar në : 09:20 - 21/09/20 Eugjen Merlika

(Tridhjetë vite historie shqiptare)

“Demokraci do të thotë shumë më tepër se sa qeveri popullore e zotërim i shumicës”

  1. F. KENNEDY

Eugjen Merlika

Dy vite bisedime, një ditë e tërë trysnie ndërkombëtare për të mos ndryshuar asgjë, megjithëse kishte shumë për të ndryshuar. Së pari sistemi zgjedhor me lista të mbyllura, së dyti sistemi i numërimit të votave nga komisione jashtë politikës, së treti vota e të mërguarve, që priste tridhjetë vite. Por për përfaqësuesit e demokraturës asnjëra prej këtyre nuk kishte rëndësi. Nuk ishte e rëndësishme që kandidatët t’i nënshtroheshin shqyrtimit vetjak nga ana e zgjedhësve e të merrnin përgjegjësinë vetjake për zonën që do të përfaqësonin, nuk kishte rëndësi depolitizimi i komisioneve zgjedhore, kthimi i tyre në organe qytetarësh si në të gjithë botën e qytetëruar, nuk ishte e rëndësishme vota e bashkëqytetarëve jashtë Vendit, sepse mund të lëvizte baraspeshat e politikës shqiptare, të ngurtësuara prej tre dhjetëvjeçarësh.

Demokratura i bën qëndresë të fuqishme edhe vetë logjikës së dukurive. Pranohet nga të gjithë se ka probleme në ecurinë e proceseve zgjedhore të Shqipërisë, se ka dhjetëvjeçarë që vota tjetërsohet edhe se është përbërësi i parë i vlerësimit të vetë qenësisë së demokracisë e, njëkohësisht,  motori lëvizës i vetë ecjes përpara të saj. Prej një të katërt shekulli bëhen padi e kundërpadi për tjetërsimin e saj, por në vend që të gjendet një ujdi për t’a shëndoshur gjendjen, përsosen vazhdimisht metodat e rëndimit të patologjisë.

Në këtë amulli politike e institucionale meriton një vëmendje të veçantë Opozita kuvendore, që ka kërkuar me forcë, brenda mundësive të saj, ndryshimet që e afrojnë më shumë shtetin me nënshtetasit se sa me kastën drejtuese në pushtet apo n’Opozitë. Por, çuditërisht, ai qëndrim nuk ka patur vlerësimin e duhur, jo vetëm nga Opozita jashtëkuvendore, por edhe nga një pjesë e opinionit publik që, në një mënyrë apo në një tjetër, është e lidhur me kastën…..

Sa i përket reformave të paqena zgjedhore, besoj se meriton një vëmendje të posaçme propozimi i Bashës për të hapur 100 % listat e kandidatëve. Po t ‘ishte i bindur ai dhe partia e tij në dobinë e një veprimi të tillë, do të duhej t’a kishin kërkuar me kohë në rrahjen e mendimeve biblike në Këshillin Politik, gjërat do të kishin shkuar më mirë e ajo kërkesë nuk do t’i shëmbëllente sot lojës së kungulleshkave. Uroj që të jetë me të vërtetë një bindje drejt meritokracisë e PD, në të njëjtin kah me ngritjen e Komisionit vlerësues të kandidatëve për deputetë, edhe se për përbërjen e këtij të fundit mund të ketë mjaft vërejtje.

Shumë pritje e shpresa ka ngjallur në opinionin publik shqiptar  reforma në drejtësi, e marrë në mbikëqyrje nga faktori ndërkombëtar.  Janë më se të ligjshme ato pritmëri, sepse mali i shpërdorimeve, i pasurimeve të paligjshme, i çrregullimeve të çdo tipi, në grumbullimin e tij tridhjetëvjeçar ka arritur Korabin. Organet e reja të Drejtësisë, SPAK-u apo BKH duken si Davidi para Goliathit për të arritur të shkërmoqin Korabin e prapësive të politikës shqiptare në tetëdhjetë vitet e fundit, kryesisht në çerek shekullin e mbramë. Vështirësitë objektive për të çrrënjosur të keqen nga sistemi i politikës shqiptare janë aq të mëdha e të ndryshme, sa që shtjellimi i dukurisë në përmasat e saj të vërteta të zhyt në një mosbesim të thellë, duke hequr çdo shpresë. Mosbesimi deri në mohje të plotë përligjet jo vetëm nga fakti se të gjithë “marsianët” e rinj të fushës së Drejtësisë vijnë nga strukturat e vjetra të saj e hijet që përcjell vetë procesi i Vettingut krijojnë mëdyshje të forta në ecurinë e tij, por edhe nga faktet e pakta që, deri tani, na kanë paraqitur prokurorët e reformës.

Dosjet mbi mashtrimet zgjedhore duhej t’ishin më të parat e më të lehtat që duheshin hetuar, por heqja dorë nga SPAK-u prej tyre nuk jep asnjë siguri se ata rrogtarë drejtësie do të kenë guximin, aftësitë, mundësitë e vullnetin e mirë për t’arritur rezultatet e kolegëve të tyre të njohur kroatë e rumunë kundër korrupsionit të lartë në organet shtetërore, për të mbetur në përvojat ballkanike që shëmbëllejnë më shumë me tonat.  Shpresa se ato gra e burra të organeve të reja të dala nga Vettingu e t’emëruar nga politika, do të jenë në gjëndje të hyjnë në mekanizmin e ndërlikuar të demokraturës shqiptare e t’a zbërthejnë atë, mendoj se është një argument që le shumë për të dëshiruar.

Vjet para zgjedhjeve vendore Kryetari i shtetit mori një vendim për të pezulluar shkuarjen në kutinë e votimit, jo vetëm si pasojë e braktisjes së saj nga Opozita, por më shumë për shkakun e një rreziku “për të djegur parlamentin”, siç u shpreh ai vetë. Madje më shumë se njëri e krahasuan atë gjendje me djegien e Reichstagut në Gjermani më 1933, pa u marrë vesh nëse ishte me ironi apo me seriozitet. Çuditërisht askush, me sa dihet, as SPAKU që duhet t’a kishte si detyrë të parë, mbasi kishte të bënte me ruajtjen e rendit demokratik, nuk hetoi për atë dukuri. Mendoj se zbardhja e saj ishte e detyrueshme n’atë kohë, apo më pas, sepse nuk mund të konceptohet një shtet normal, në të cilin kryetari flet publikisht për rrezikun e një atentati të rëndë kundër rendit dhe qeveria e organet e Drejtësisë e lënë të kalojë pa asnjë farë kundërveprimi. Apo ndoshta ata e kanë bërë punën e tyre në heshtje, por e kanë kaluar në fashikuj të sekretuar si shumë të tjerë. Besoj se shqiptarët kanë të drejtë të dijnë ku qëndron e vërteta: cilët janë “atentatorët e kuvendit”, a janë të sakta të dhënat e shërbimeve të fshehta, apo presidenti ka hamendësuar rrezikun për arsyet e tij. Nuk duhet t ‘ekzistojë asnjë sekret shtetëror që të mbulojë dukuri të tilla, madje kjo nuk mund të kalonte pa asgjë. Kjo mungesë tejpamjeje në veprimet e organeve shtetërore është njëra nga karakteristikat më të zakonshme të demokraturës, ndoshta ajo që e afron më shumë me diktaturën.

Jo shumë kohë më parë, drejtori i përgjithshëm i kadastrës, z. Artan Lame, pohonte në televizion se e gjithë toka shqiptare dilte se ishte pronë e ligjësuar me dokumente. Është një lajm që nga një anë të shkakton një ndjesi kënaqësie e nga ana tjetër të shkakton habi e mosbesim. Kënaqësia rrjedh nga ideja se të gjithë ish pronarët, shtresa më e goditur nga rrebeshi gjysmë shekullor komunist, duhet të kenë marrë pronat e tyre. Është një hamendësim logjik i sendërtimit të një dukurie që duhej të kishte qenë detyrë e dorës së parë të shtetit demokratik, ajo e kthimit të pronave të grabitura padrejtësisht nga para-ardhësi i tij komunist. Kjo do të kishte qenë një arritje për t’u vënë në kornizë e për t’u trumbetuar me të madhe. Edhe në rastin e këtij hamendësimi tepër ndjellamirë ka diçka që ngec n ‘arsyetim: shteti në kohën e mbretërisë, kur prona vetjake e familjare ishte e mbrojtur me ligj, ishte pronari më i madh i tokave. Pra, sikur të gjithë qytetarët shqiptarë të kishin rimarrë pronat e të parëve të tyre, të vërtetuara me dokumente noterialë apo shtetërorë, gjë që nuk është e vërtetë, mbasi i nënshkruari ka më se dhjetë vite që kërkon rikthimin apo kompensimin e një trualli prej 1330 m.katror, pa as më të voglin rezultat, e jam i bindur se nuk është i vetmi me këtë problematikë, do të mbetej përsëri në zotërim të shtetit një sasi e madhe pronësie.

Kryetari Lame thotë se shteti i sotëm nuk zotëron asgjë. Logjika e thjeshtë të çon në përfundimin se ajo pjesë e pronës shtetërore është përvetësuar e ndarë ndërmjet qytetarëve, ose në rastin më të mirë, u është shitur atyre. Vetëm të mendohet me mëndje të ftohtë ky pështjellim dridhen duart. Hyrja në mekanizmin e kësaj dukurie i shëmbëllen një fantazie të papërftueshme.  Por është një fakt që, në një mënyrë apo në një tjetër, tashmë e gjithë ajo pasuri është e shënuar në dokumentet shtetërorë si pronë vetjake. Me sa di un, mund të jem i gabuar, pronat e të huajve në këtë operacion marramendës, nuk janë të konsiderueshme. Shumica dërmuese i përket disa shqiptarëve që, sigurisht nuk janë njerëz të thjeshtë, të cilët kanë pak dynymë tokë bujqësore të punueshme për të mbajtur frymën gjallë. Ata përbëjnë shtresën e re të pronarëve pushtetarë apo idhtarë të politikës që demokratura, nëpërmjet alkimive të saj mafioze, ka krijuar në shtetin më të varfër t’Evropës. Asnjëherë në historinë e saj mijëvjeçare kjo tokë ku kanë pasuar njëri tjetrin pellazgë, ilirë, arbër, shqiptarë, në shekuj nënshtrimi ndaj Romës, Bizantit, Turqisë, nuk ka patur kaqë ndryshime të theksuara pasurore ndërmjet banorëve të saj. N’asnjë periudhë historike brenda tridhjetë vitesh nuk është krijuar një klasë e tillë me pasuri të pallogaritshme si në Shqipërinë e demokraturës, ndërsa pjesa m’e madhe e popullsisë jeton duke blerë ushqimet me listë…

Mbrapa atyre pasurive të papërfytyrueshme për standardin mesatar të jetesës në Vendin tonë, në shumicën dërmuese fshihen pa ligjësi, trafiqe, madje edhe krime, përkrahje të politikës e të Drejtësisë, grabitje të pasurisë së shtetit e të individëve, lidhje e allishverishe të njerëzve të veshur me pushtet vendor apo qendror me ata të krimit të zakonshëm apo t ‘organizuar e gjykatësve të korruptuar. Duhet një plugim qilizmë i realitetit shqiptar për të nxjerrë të vërtetën mbi korrupsionin që zotëron i patrazuar, duke i marrë frymën shoqërisë e shumicës së saj të varfër. Sepse demokratura e ndihmon haptas pasurinë e madhe, ajo i fton investuesit shumë milionerë që ngrenë hotelet me pesë yje të mos paguajnë taksa për dhjetë vite, deri sa të majmen mirë e nga dhjami i tyre të marrë pjesën e vet politika.

A do të ketë shërim kjo sëmundje e rëndë që nuk është vetëm shqiptare, por e përbotshme, që nuk është e përkohshme apo e kësaj kohe, por e përjetshme e për të gjitha shoqëritë? Duke shkruar këto radhë erdhi lajmi se Steve Bannon, ish organizator i fushatës së Trump-it më 2016, ish këshilltari për sigurinë kombëtare, është arrestuar për përfitim të një pjese të parave të dhuruara on-line nga qytetarët amerikanë për ndërtimin e murit në kufirin me Meksikën. Edhe teoricieni i “sovranizmit botëror” është joshur nga paraja, çfarë duhet të bëjnë fshatarët shqiptarë që mbjellin hashashin për të nxjerrë një kothere më shumë, duke majmur trafikantët e ata që qëndrojnë mbi ta në institucionet e shtetit?

“Mos bëni keq dhe e keqja nuk do të ekzistojë” thonte Leon Tolstoi, në një thjeshtëzim moralist të jetës, që mbetet shprehje e besimit në veprimin ripërtëritës të vlerave morale e shpirtërore të njerëzve.

“Të këqijat vijnë me fletë dhe ikin duke çaluar” thonte Voltaire, më shumë se treqind vjet të shkuara. Problemet njerëzore përsëriten edhe se në forma e në ngjyrime të ndryshme, n’epoka të ndryshme por ruajnë gjithmonë thelbin që është një luftë e gjatë e pasosur ndërmjet fuqive të së mirës e atyre të së keqes, fatkeqësisht me epërsinë e këtyre të fundit, në më të shumtën e rasteve. Tingëllon tepër keqandjellës ky pohim, mbasi ve në dyshim përparimin e botës drejt synimesh të larta, por përvoja e 80 viteve të fundit të historisë sonë nuk të frymëzon ndjellamirë. Të këqijat vijnë tek ne në krahët e pandershmërisë, të mos respektimit të rregullave morale e njerëzore, të mungesës së kontrollit të shtetit në shumë raste e në kontrollin e tepërt të tij në raste të tjera, të pajtimit të mbuluar të tij me bartësit e së keqes, të një fashitje të përgjithshme, pasojë e lodhjes, e zhgënjimeve, e mosbesimit kundrejt politikës, e humbjes së shpresës. Kjo e fundit është më e dëmshmja, sepse çon në mosveprim, në apati, në amulli mendore, në nënshtrimin kundrejt së keqes. Ndërsa neve na duhet kundërveprimi që do t’i jepte goditje së keqes e do t’a detyronte të “ikte duke çaluar”….

VIJON /Gazeta Liberale

Tags:

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back