Rishi Sunak shkroi historinë duke u bërë kryeministri i parë i Britanisë së Madhe me origjinë indiane.
Ky fakt është mirëpritur në Azinë Jugore, ndërsa në media nuk kanë munguar tituj të ndryshëm për të.
Gazeta më e madhe në Indi "Dainik Bhaskar" shkruan se, Rishi me origjinë indiane do të sundojë të bardhët.
“Djali indian ngrihet mbi perandorinë. Historia bën rrethin e plotë në Britani", ishte ky një titull i NDTV.
Ndërsa një spikere e Zee News tha se: "India ishte dikur nën qeverisjen e Britanisë, ndërsa tani një burrë me origjinë indiane është bërë Kryeministër i Anglisë".
India dikur ishte pjesë e një perandorie britanike, që shtrihej aq larg në të gjithë globin saqë shpesh thuhej se dielli nuk do të perëndonte kurrë në të.
Por 75 vjet nga fundi i "Raj-it britanik" ose sundimit britanik mbi Indinë, shumë komentues indianë theksuan me gëzim se si kohët kanë ndryshuar. /Liberale.al