Trupi i copëtuar i një influenderi milioner të kriptomonedhave u gjet pranë një përroi në Argjentinë, me autoritetet duke u përpjekur për të zgjidhur krimin e tmerrshëm që ka tronditur komunitetin lokal.
Zbulimi i tmerrshëm erdhi disa ditë pasi 41-vjeçari Fernando Perez Algaba bëri disa postime misterioze në rrjetet sociale për "njerëzit e këqij" që ia kthenin mirësinë me urrejtje.
Sipas "Daily Mail", duke cituar mediat lokale, trupi i Agaba i gjetur nga dy fëmijë të dielën ishte i mbushur me plumba. Prerjet në trupin e copëtuar ishin shumë “të pastra”, duke treguar se “punën” mund ta ketë bërë një profesionist.
Tatuazhi me katër shkronja të dukshme në krahun e Algabës ishte e dhëna e parë që çoi në identifikimin e trupit, ndërsa analiza e gjurmëve të gishtërinjve më vonë konfirmoi se ishte milioneri.
Ekzaminimi i trupit të Algaba, i cili njihej edhe me pseudonimin "Lechuga", tregoi se burri u vra nga tre plagë me armë zjarri në trup. Autoritetet policore janë duke hetuar për vrasjen e milionerit, por deri më tani nuk kanë identifikuar asnjë të dyshuar.
Ndonëse nuk dihet ende se kur ka ndodhur vrasja, një grua u tha autoriteteve se kishte lënë një takim me të më 19 korrik për t'i kthyer çelësat e një apartamenti që ai merrte me qira dhe ai nuk u paraqit kurrë.
Kush ishte "Lechuga"
Influencuesi kishte mbi 900,000 ndjekës në Instagram dhe në llogarinë e tij ai tregonte jetën e tij luksoze me makina luksoze, jet ski dhe festa të egra me të ftuar elitarë. Biznesmeni muskuloz e cilësonte veten si investitor dhe merrej edhe me tregtinë e automjeteve luksoze.
Deri në fillim të këtij viti ai ka jetuar përkohësisht në Miami. Pas një udhëtimi në Spanjë, ai u kthye në Argjentinë ku qëndroi deri në vrasjen e tij.
Në disa mesazhe që ai kishte postuar së fundmi në rrjetet sociale ku tregonte se ishte i zhgënjyer nga njerëzit. “Është e pabesueshme që ka njerëz kaq të këqij në botë, që ndërsa ti mendon si t’i ndihmosh, ata mendojnë se si të të shkatërrojnë”, ka shkruar ai në një nga postimet e tij.
Në një mesazh për nënën e tij ai shkruante: “Përshëndetje mami, doja pak kohë për të pastruar mendjen, si zakonisht. Dhe nga ku jam, kuptoj dy gjëra: se nuk mund t'u ikim problemeve dhe se problemet na ndjekin".
Sipas asaj që ai raportoi në rrjetet sociale, Algaba ishte pasuruar vetë. Ai filloi të shesë sanduiçë në moshën 14-vjeçare dhe më vonë e ndërtoi pasurinë, duke investuar në kriptovaluta dhe aksione. Në moshën 24-vjeçare, ai ishte tashmë pronar i një magazine të madhe plot me makina luksoze.
Pavarësisht asaj që ai pretendoi në internet, megjithatë, kompanitë që ai themeloi ishin në telashe, me akuza për mashtrim, borxhe të papaguara dhe çeqe të këqija.
/Liberale.al