Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka zhvilluar një takim me inspektorët e Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor të Tiranës, për intensifikimin e kontrolleve për zbatimin e protokolleve të sigurisë anti-COVID.
Manastirliu është shprehur se nuk duhet të ketë tolerancë për shkelësit e ligjit, duke e konsideruar çdo thyerje të rregullit si rrezik për shëndetin e popullatës.
“Na nevojitet mirëkuptimi i biznesit, çdo qytetari. Jemi këtu për të bërë të mundur që rregullat që kemi vendosur të mund të zbatohen. Kjo është një luftë që nuk mund të fitohet e vetme”, tha ministrja.
Më tej Manastirliu u ka bërë apel subjekteve të respektojnë protokollet e sigurisë dhe ka kërkuar nga inspektorët të jenë çdo ditë në terren me zero tolerancë për çdo subjekt që nuk zbaton masat ndaj COVID-19, me qëllim ruajtjen e shëndetit të qytetarëve.
“Ne nuk mundemi që çdo qytetari t’i vendosim një polic, por duhet që çdokush të mbrojë shëndetin e vet dhe të tjerëve. Do marrim masa administrative për çdokënd që nuk mbron tjetrin, sepse çdokush që nuk mbron tjetrin nuk i shërben qëllimit madhor për të mbrojtur tjetrin”, tha Manastirliu.
Trupa inspektuese e ISHSH ka kryer inspektime dhe monitorime çdo ditë në të gjitha subjektet që zhvillojnë aktivitetet e lejuara gjatë periudhës së epidemisë. Janë inspektuar dhe monitoruar 72,781 subjekte në të gjithë vendin dhe janë vendosur 300 masa administrative.