Anglia dhe ekipet angleze të futbollit mund të ndëshkohen nëse qeveria do të vazhdojë me planet e saj për të krijuar një organ që rregullon aktivitetet futbollistike në vend, me rregulla krejtësisht të reja.
Sipas mediave të huaja, në një letër dërguar nga UEFA sekretares së re të kulturës në Mbretërinë e Bashkuar, Lisa Nandy, organi qeverisës i futbollit evropian ngriti shqetësime në lidhje me një rregullator të pavarur të propozuar të futbollit (IFR) në futbollin anglez.
Rregullorja do të sigurojë qëndrueshmërinë financiare të klubeve, por rregulloret e UEFA-s thonë se nuk duhet të ketë ndërhyrje nga qeveritë në drejtimin e futbollit.
“Ne kemi rregulla specifike që e mbrojnë autonominë e sportit dhe të drejtën e konkurrencës sportive. Sanksioni përfundimtar do ishte përjashtimi i federatës nga UEFA,”- shkruante sekretari i përgjithshëm i UEFA-s, Theodore Theodoridis në letrën e tij, e cila është parë nga Associated Press.
Anglia ka qenë nënkampione në dy kampionatet e fundit evropiane, është bashkë-pritëse e edicionit të vitit 2028 të Kampionatit Europian, e drejtë e cila mund t'i hiqet. Po ashtu, mund të ndodhë që klubet e Premier League të ndalohen nga garimi në Ligën e Kampionëve dhe garat e tjera./ZËRI