Sport

Legjenda zvicerane thur elozhe për Shaqirin: Kontributi i tij ka vlerën e arit

Shkruar nga Liberale

Legjenda zvicerane thur elozhe për Shaqirin: Kontributi i tij ka

Goli fantastik që shënoi ndaj Skocisë në Euro 2024 në kuadër të Grupit A, bëri që Xherdan Shaqiri të marrë lëvdata të shumta. Përveç rëndësisë që kishte kjo ndeshje për Zvicrën, 32-vjeçari hyri në librin e rekordeve duke u bërë futbollisti i parë që shënon në gjashtë garat e mëdha, duke përfshirë tre edicione të Botërorit dhe po aq të Kampionatit Evropian.

Një ndër personat që e ka vlerësuar lart Shaqirin për performancën e tij ndaj Skocisë është ish-legjenda zvicerane Ciriaco Sforza.

Sforza gjatë karrierës së tij ka luajtur për Bayern dhe Inter, ndërsa me fanellën e kombëtares së Zvicrës numëron 79 ndeshje aty ku kishte shënuar nëntë gola.

“Ishte një gol i nivelit botëror, për këtë e kemi Shaqirin, për këtë ai është këtu”, ka thënë fillimisht Sforza për një program televiziv në Zvicër.

“Ai nuk ka nevojë të ushtrojë për këtë (shënimin e golave të bukur) pasi është në gjakun e tij dhe jo secili futbollist mund ta bëjë këtë”.

Shaqiri kishte hasur në kritika sa i përket kontributit të tij në anën defanzive, por për këtë Sforza tha se nuk duhet të harrohet ajo që ai mund të bëjë në fazën e sulmit.

“Është e qartë se ka hapësirë për përmirësim në paraqitjet e tij, por ne nuk duhet të harrojmë se çfarë mund të bëjë ai në fazën e sulmit, vlen sa pesha e tij në ari”, u shpreh ai.

Pa filluar ende Euro 2024, kishte pasur zëra në Zvicër se përzgjedhësi Murat Yakin e nxit Shaqirin që ai të jetë versioni i tij më i mirë kur futet në fushë.

Për këtë Sforza tha se ishte një ide e shkëlqyer dhe se duhet të vazhdojë kësisoji.

“Yakin e di se si ta nxisë Shaqirin, mendoj se kjo është diçka e shkëlqyeshme dhe duhet të vazhdojë kështu”, përfundoi ai.

Zvicra gjendet e dyta në Grupin B të Kampionatit Evropian 2024, teksa ndeshjen e fundit në fazën e grupeve do ta luajë të dielën ndaj nikoqirit Gjermanisë.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH