Në lojrat olimpike të Berlinit më 3 Gusht 1936 në stadiumin madhështor, një djalosh me ngjyrë nga Amerika, Jesse Owens, u kthye në simbol të barazisë dhe triumfit njerëzor. Në garën më prestigjioze të Lojërave Olimpike,
Ai nuk fitoi vetëm një medalje, por i dha një shuplakë botërore retorikës racore të Adolf Hitlerit, i cili qëndronte në tribunën zyrtare, duke pritur të kremtonte “mbizotërimin arian”.Jesse Owens, biri i një familjeje të varfër fermerësh në Alabama dhe student në Universitetin Shtetëror të Ohajos, sfidoi jo vetëm rivalët në pistë, por edhe një klimë ndërkombëtare të rënduar nga racizmi, diskriminimi dhe urrejtja. Në një Berlin të zbukuruar me flamuj nazistë dhe të ngopur me simbolikë propagandistike, ky atlet i thjeshtë por i jashtëzakonshëm përmbysi parashikimet dhe përçmimet.
Hitleri, sipas disa raportimeve të kohës, refuzoi t’i shtrëngonte dorën, ndonëse vetëm një ditë më parë kishte përshëndetur fituesit gjermanë. Por për Jesse Owens, lavdia nuk erdhi nga protokolli. Ajo erdhi nga vetë populli gjerman, që e duartrokiti me entuziazëm dhe e ngriti në një piedestal përtej kufijve politikë.
Kjo fitore ishte vetëm fillimi. Brenda pak ditësh, Owens do të fitonte edhe tre medalje të tjera të arta, në garën e 200 metrave, në kërcimin së gjati (ku triumfoi pas një dueli të paharrueshëm me atlethin gjerman Luz Long), dhe në stafetën 4×100 metra. Katër medalje ari në një Olimpiadë, një rekord i pashembullt që sfidonte gjithçka që Berlini i asaj kohe përpiqej të predikonte.
Triumfi i Jesse Oëens-it nuk ishte vetëm sportiv. Ishte moral, politik dhe njerëzor. Ai shënjoi momentin kur një njeri i vetëm, me muskujt e tij dhe vullnetin e pathyeshëm, mundi një regjim me mite, parulla dhe urrejtje.
Kjo fitore u bë një moment kyç në historinë e sportit dhe të lëvizjes për të drejtat civile në SHBA.
Në një kohë kur paragjykimi mbizotëronte, Jesse Owens vrapoi më shpejt se urrejtja. Dhe për këtë, historia nuk do ta harrojë kurrë.Dhe, në kronika dhe në foto, në gjithçka që ka arritur të mbetet në kujtesë prej asaj dute legjendare, prej atij momenti ikonik është ceremonia e kurorëzimit, në këtë cak të zhvillimeve olimpike të gjithë, kryesisht stafet e protokolleve të aktivitetit nderojnë sipas mënyrës naziste, ndërsa Jesse Owens, nderon si një amerikan, si një fitues, si një e drejtë që ngrihet si zë dhe vullnet për të gjithë ata që ishin pjesë e këtij kulmimi të historisë, Luftës së Dytë Botërore.
Jesse Owens erdhi për të mbetur jo vetëm një moment olimpik, por një faqe e shkëlqimtë e skalitur me zjarrin e pasionit dhe dritën e fitores mbi diskriminimin në historinë e Lojërave Olimpike në veçanti dhe atletikës në përgjithësi.