
Çanta origjinale Birkin, e cila është bërë një nga çantat më të njohura dhe të shtrenjta në botë, do të jetë pjesa qendrore e ankandit “Ikonat e Modës”.
Është një “version origjinal historik, i punuar me dorë”, siç e përshkruan shtëpia e ankandeve, i bërë prej lëkure të zezë dhe i gdhendur me inicialet JB, i cili ka karakteristika unike: unaza metalike që nuk hapen, një rrip shpatullash që nuk shkëputet dhe një prerëse thonjsh të integruar.
Krijimi i Birkin është bërë një legjendë urbane e modës moderne. Gjatë një fluturimi nga Parisi në Londër, këngëtarja dhe aktorja angleze Jane Birkin, e cila ndërroi jetë në vitin 2023, i shprehu zhgënjimin e saj pasagjeres se nuk mund të gjente një çantë praktike që do t’i plotësonte nevojat e saj si një nënë e re.
Pasagjeri tjeter ishte Jean-Louis Dumas, atëherë drejtues i Hermès. Biseda e tyre gjatë fluturimit frymëzoi krijimin e një çante lëkure të bollshme me hapësirë për një shishe dhe sende të tjera thelbësore. Në vitin 1984, lindi Birkin.
“Ka momente të rralla në botën e modës kur një objekt tejkalon trendet dhe bëhet legjendë. Birkin origjinal i Jane Birkin është një moment i tillë“, tha Morgane Halimi, drejtuese globale e çantave dhe modës së Sotheby’s.
Dyzet vjet më vonë, çanta prej lëkure është bërë produkti kryesor i kompanisë franceze të mallrave luksoze prej lëkure. Prodhohet në sasi shumë të kufizuara, duke ruajtur një… aureolë ekskluziviteti, me çmime që variojnë nga disa mijëra euro për modelet më të thjeshta deri në disa qindra mijëra për ato më luksoze.
Një zgjedhje e preferuar e personazheve të famshëm si Khloe Kardashian, Jennifer Lopez dhe Victoria Beckham, çanta Birkin nuk shfaqet në vitrinat e dyqaneve dhe as nuk është e disponueshme në internet.
Origjinali do të ekspozohet në Sotheby’s në New York nga 6 deri më 12 qershor, pastaj do të udhëtojë për në Paris përpara se të dalë në ankand. Përveç Birkin origjinal , Sotheby’s do të ofrojë edhe pjesë ikonike nga pistat e Christian Dior, Thierry Mugler, John Galliano dhe Alexander McQueen.
Ankandi online do të fillojë më 26 qershor dhe do të mbyllet më 10 korrik.