Letërsi

VIDEO/ Eugjen Merlika dhe “Shqipëria në botën e mijëvjeçarit të tretë”, botim i UET Press, në Vitrina e Librit

Shkruar nga Liberale

VIDEO/ Eugjen Merlika dhe “Shqipëria në botën e

Libri më i fundit i publicistit Eugjen Merlika “Shqipëria në botën e mijëvjeçarit të tretë” ishte pjesë e programit “Vitrina e librit” në ekranin e Top Channel, duke risjellë në vëmendje krijimtarinë dhe angazhimin e autorit për çështjen shqiptare.

Edhe pse jeton jashtë Shqipërisë prej gati tre dekadash, Merlika iu është dedikuar vazhdimisht çështjeve politike dhe historike të vendit të tij, duke dhënë mendimin, analizën dhe propozimet e tij në shtypin e shkruar shqiptar.

Tashmë kjo krijimtari e gjatë vjen e përmbledhur në librin “Shqipëria në botën e mijëvjeçarit të tretë”, sjellë për lexuesin nga shtëpia botuese UET Press.

Një libër voluminoz prej 475 faqesh ku radhiten nëntëdhjetë e gjashtë shkrime të botuara nga viti 2005 e deri së fundi më 2023-shin, por që shtrihen e prekin një hark kohor shumë më domethënës se vitet në të cilat janë shkruar, me tema e personazhe që dalin nga historia kombëtare e njerëzore, shqiptare e botërore.

Nga përballja me komunizmin e qëndrimi ndaj tij, te problemet në demokracinë europiane, nga personazhet që i admiron dhe që u kthyen në simbole të qëndresës njerëzore si, Nelson Mandela e Margaret Thatcher, te figura të mirënjohura kombëtare si Nënë Tereza, Don Anton Kçira e Dom Zef Oroshi, në të gjithë krerët e këtij libri lokalja gërshetohet me globalen, publikja ka edhe pak spërkatje historish dhe emocionesh personale.

“Shqipëria në botën e mijëvjeçarit të tretë” është botimi i katërt me UET Press-in, pas librave: “Demokratura shqiptare në vështrimin e një të mërguari” (2017), “Thinjat e Atdheut” (2019) dhe “Rravgime të lira në shtigjet e historisë shqiptare” (2021), por i gjashti për autorin.

 



Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH