Letërsi

“Koli i Bardhës shkon në Afrikë” nga UET Press/ Autobiografia mes rreshtave e Sokol Ballës

Shkruar nga Liberale

“Koli i Bardhës shkon në Afrikë” nga UET Press/

Në praninë e familjarëve, miqve, pedagogëve e studentëve të Universitetit Europian të Tiranës, Sokol Balla promovoi librin e tij më të fundit “Koli i Bardhës shkon në Afrikë”, botim i UET Press. Gazetari i politikës dhe emisioneve hard talk sjell jo vetëm një libër me shënime udhëtimesh, por një trajektore të gjatë dhe të përbotshme në rizbulimin e vetvetes dhe progresit individual.

“Ka ironi, autoironi dhe një rrëfim të vogël mbi atë se kush kam qenë.” Janë disa arsye pse gazetari Sokol Bardha zgjodhi që librin e tij më të fundit me shënime udhëtimesh dhe jo vetëm, ta titullojë “Koli i Bardhës shkon në Afrikë”. Përtej udhëtimeve mbresëlënëse, pasionit të dytë të gazetarit që ai i cilësoi një universitet më vete, ky libër tregon më shumë se kaq duke pasur një qasje autobiografike.

Titulli i dedikohet nënës së tij për një arsye të thjeshtë: Ishte ajo që në një moment e shtyu të udhëtojë pak më herët se të tjerët. Dhe prej atëherë nuk u nda kurrë nga zbulimet e afërta e të largëta, të zakonshme e të veçanta, gjithmonë i pajisur me mprehtësinë dhe mjetet e një gazetari, që jo thjesht kalon por gërmon dhe gjen thesare. Nga Etosha Park në Namibi e deri në Groelandë, gazetari lëviz gjeografikisht nga kontinenti në kontinent, duke sjellë pastaj histori, politikë dhe futboll.

“Titulli ka edhe një rrëfim të vogël mbi atë kush ka qenë Sokoli. Jo Sokoli sot që e shikojmë të gjithë, por ai Sokoli që luante në lagje dhe ishte një djalë i thjeshtë i Tiranës”, tregoi autori gjatë promovimit të librit në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës me të pranishëm familjarë, miq, bashkëpunëtorë, pedagogë dhe studentë.

Bir i dy familjeve të mira nga Dibra dhe Tirana, ishin pikërisht prindërit që ndikuan fortë për të qenë Sokol Balla i sotëm. Siç edhe ai rrëfeu, babai ndikoi në përzgjedhjen e profesionit ndërsa nëna ishte ajo që e shtyu të lexonte herët e të kalonte nga revistat e librat me figura te ato me rrëfime të gjata e më të lodhshme.

“Ky libër është e vetmja qasje autobiografike që mund të kem. Është libri i një pjese të madhe të jetës sime 30-40 vitet e fundit kur neve na u dha mundësia të lëvizim. Brenda librit është edhe progresi si individ”, u shpreh më tej Balla.
Autori thotë në nisje të librit në shkrimin që e titullon “Një libër për veten time”, se ky botim nuk është libër udhëtimesh as analizë gjeopolitike e historisë. “Është thjesht bota si e pashë unë në tri dekada xhirosh pa fund rreth saj.”

Gazetari Remzi Lani, njohës i Sokol Ballës që në moshën 15-vjeçare kur hodhi filizat e parë në profesionin e gazetarit, thotë në parathënie se autori udhëton me mendje të hapur, duke shmangur korrektesën e lodhshme dhe të mërzitshme politike, pra censurimin e vetvetes.

“I shkruar me elegancë, herë me një bird’s eye nga larg, herë me lupën e një detajisti skrupuloz, herë me ironi dhe herë me skepticizëm, libri i Sokol Ballës është një sprovë sui generis në kërkim të vetvetes.”

“Koli i Bardhës shkon në Afrikë” nga UET Press/

“Një libër sa i ndryshëm por edhe aq i ngjashëm me ata që autori ka botuar deri tani me UET Press”, do të shprehej drejtuesja e këtij enti botimi, Suadela Balliu. 
“Një përzierje interesante mes zbulimit të kulturave të reja, ku gazetari bëhet edhe vëzhgues antropologjik, sjell një esencë të historisë dhe ekonomisë së vendeve që viziton, por nuk e lë mënjanë as politikën e Shqipërisë dhe futbollin.” 

Më herët autori ka sjellë botimet: “33”, “Loja që ndryshoi Shqipërinë” “Dëshmia e Puçit” dhe “Viti i mbarë”

Studiuesi i letërsisë, pedagogu i UET dr. Ermir Nika vlerësoi faktin që ky botim në njëfarë forme mban gjallë vijimësinë e zhanrit të udhëtimeve, i lindur në Shqipëri në shekullin XX. “Mendoj se ky libër ka vijimësi, ka konsolidim, ka gjeografi. Është një dritare kulturore.”

Duke folur mbi vëzhgimet nga udhëtimet, Balla theksoi se prej tyre ka kuptuar që njerëzit sot po zgjohen, po informohen dhe po bëhen gjithnjë e më shumë të barabartë, të paktën në gjërat që thonë dhe mënyrën se si mendojnë.
Jo pa shkak ai mori rastin e zgjedhjeve në SHBA, pasi edhe në libër ka një pjesë të titulluar “Amerika nuk ka vdekur, Ajo sapo u ringjall”, ku tregon përshtypjet si raportues në ngjarjet e 6 janarit 2021.

“Koli i Bardhës shkon në Afrikë” nga UET Press/

Ai tha se ndarjet i zi-i bardhë, grua-burrë nuk po funksionojnë më dhe këtë e treguan zgjedhjet e nëntorit të 2024, ku Kamala Harris u bë e dyta grua që humbi përballë Donald Trump pas Hilary Clinton, duke e "damkosur" kështu Amerikanë si vendin që nuk i zgjedh gratë presidente.

Por pavarësisht këtij zgjimi nga mjetet e shtuara të informimit, ku gjithsecili ka një celular në dorë dhe është gazetar, qoftë në Afrikë, Shqipëri apo Amerikë, ka një lajm të keq për botën dhe për njerëzimin. 

“Përfundimi që arrij në fund mendoj se është i vërtetë. Në Afrikë kam parë botën siç ka lindur pa ndikimin e njerëzve. Në Groelandë kam parë pasojat se çfarë ka bërë njeriu gjatë këtyre dy shekujve të fundit dhe sigurisht kjo është një botë që ne po e shkatërrojmë përditë”, përfundoi gazetari duke iu referuar kështu lajmit më të fundit se globi ka kapur një ngrohje globale të pakthimtë.

Gjithesi, Balla u kujdes të sqaronte se nuk synon të arrijë në konkluzione globale, por veçse të evokojë lexime dhe mendime personale./Luiza Pinderi

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH