
Shkrimtari peruan, fitues i Çmimit Nobel për Letërsinë në vitin 2010 dhe anëtar i Akademisë Franceze, ndërroi jetë të dielën në moshën 89-vjeçare në Lima. Ai kishte disa muaj që jetonte i tërhequr nga jeta publike.
Mario Vargas Llosa, një nga figurat më të shquara të letërsisë bashkëkohore dhe një zë i fuqishëm kritik i realiteteve shoqërore, ndërroi jetë në Lima, i rrethuar nga familja. Lajmi u bë i ditur nga fëmijët e tij, Álvaro, Gonzalo dhe Morgana, përmes një mesazhi në rrjetet sociale: “Me një trishtim të thellë njoftojmë se babai ynë, Mario Vargas Llosa, u nda nga jeta sot në Lima, në paqe dhe i rrethuar nga familja”.
Gjatë muajve të fundit ishin shtuar zërat për përkeqësimin e gjendjes së tij shëndetësore. Në tetor të vitit të kaluar, i biri Álvaro deklaronte: “Është në prag të të nëntëdhjetave, një moshë në të cilën duhet ulur pak ritmi i angazhimeve.”
Romani si përfaqësim i botës dhe i ndërgjegjes
Vargas Llosa ishte nga ata shkrimtarë që besonin se romani është gjinia më madhore letrare, e vetmja që mund të shprehë “në mënyrë të gjerë, ambicioze dhe komplekse” tërësinë e përvojës njerëzore. “Romani është dëshmi subjektive që përçon si jetën e njerëzve të një kohe të caktuar, ashtu edhe fantazmat që lindin nga realiteti objektiv.”
Shkrimtari francez Alain Bensoussan shkruante qysh në vitin 1989: “Çdo epokë njeh shkrimtarin e saj total, atë që e bën letërsinë një absolut dhe gjuhë për të deshifruar botën. Në Amerikën Hispanike, ky është Mario Vargas Llosa.”
Letërsia e tij, gjithmonë në vijë të parë me jetën personale dhe me realitetet politike, mishëronte një filozofi të pandarë: të shkruarit është një akt që kërkon angazhim moral. I riu Mario Vargas Llosa ishte aktivist kundër diktaturës së gjeneralit Odría në Peru, më pas gazetar në AFP dhe Radio France, mbështetës i Revolucionit Kuban përpara se të zhgënjehej dhe të afrohej me idetë liberale. Në vitin 1990 garoi për postin e Presidentit të Perusë si kandidat i së djathtës liberale, por u mund në raundin e dytë nga Alberto Fujimori. Nga kjo përvojë lindi libri “Peshku në ujë”, një rrëfim i ngjeshur dhe emocional mbi fëmijërinë, shtypjen e përjetuar në kolegjin ushtarak Leoncio Prado, martesën në moshën 19-vjeçare me hallën e tij, dhe udhëtimin në Paris që i ndriçoi rrugën si shkrimtar.
Një vepër e shumëfishtë, një autor me shumë zëra
Në letërsinë e tij bashkëjetonin disa zëra. Ishte Mario i fëmijërisë së humbur në Fletoret e Don Rigobertos, ai i letërsisë si strehë ndaj jetës në Orgjia e përhershme, ai i erotikës poetike në Lavdërimi i njerkës, dhe ai i romanit historik në Lufta e fundit e botës.
Ai shkroi gjithashtu për figura historike si Flora Tristan dhe Paul Gauguin në romanin “Parajsa – pak më tutje”, dhe për Roger Casement në “Ëndrra e keltit”. Në librin “Thirrja e fisit” (2018), përshëndeti mendimtarët e liberalizmit klasik: Adam Smith, Jean-François Revel dhe Raymond Aron.
Në një ligjëratë të mbajtur në vitin 2017 në Kolegjin e Francës, ai e përkufizoi çastin më të rëndësishëm të jetës së tij si mësimin e leximit në moshën pesëvjeçare, përmes një mësuesi të urdhrit të krishterë në Cochabamba. “Atë ditë kuptova se njeriu mund të jetojë shumë jetë përmes librave — shumë më interesante se ajo që quhet ‘jeta e vërtetë’.”
Liria, e vërteta dhe përgjegjësia e fjalës
Për Vargas Llosën, letërsia kishte një mision moral dhe shoqëror. “Një roman i mirë gjithmonë thotë të vërtetën, një i keq gënjen,” – shprehej ai. Por kjo e vërtetë nuk është thjesht faktike – është një e vërtetë e thellë, njerëzore, që përçohet përmes trillimit.
Ai ishte kritik i paepur i degradimit të artit bashkëkohor, i shoqërisë së spektaklit, i rritjes së islamizmit radikal në Europë, si dhe kundërshtar i deklaruar i pavarësisë së Katalonjës.
Në romanin “Festa e Bricit”, një nga veprat e tij më të njohura, eksploron diktaturën e Rafael Trujillos në Republikën Dominikane, ku realiteti dhe gënjeshtra shndërrohen në një makineri shtypjeje.
Letërsia si mënyrë për të jetuar
Vargas Llosa e shihte letërsinë si rrugën për të kuptuar botën dhe për të jetuar më thellë. I frymëzuar nga Malraux, Hemingway, Faulkner dhe Flaubert, ai e transformonte çdo përvojë personale në material letrar. “Unë dua të jem një shkrimtar realist që tregon të pazakonshmen e realitetit,” – thoshte ai.
Në një nga romanet e tij më të dashur, “Teta Julia dhe shkrimtari”, protagonisti, një autor radiosh, zhytet në realitet deri në atë pikë sa e zhvendos zyrën e tij në rrugë, për të qenë “sa më pranë së vërtetës”.
“Dëshira për të rrëfyer është forma më njerëzore e ekzistencës,” – besonte ai. Për të, letërsia nuk ishte thjesht rrëfim, por një mënyrë për të shpëtuar shpirtin. “Ëndrrat janë e vetmja realitet i thellë. Ato janë gjëja më e turpshme që njeriu ka brenda vetes – por pikërisht ato na ndihmojnë të çajmë errësirën.”
/ Përshtati Liberale.al