E njohur si skenariste e poete, Natasha Lako ka qenë gjithmonë përkrah shkrimit edhe si gazetare. Përgjatë viteve ajo ka botuar në shtypin e kohës një sërë esesh, të cilat vijnë të përmbledhura në këtë botim të UETPRESS, nën titullin “Njeriu si një tjetër”. Në pjesën e parë autorja vendos autorë të huaj pranë atyre shqiptarë, duke gjetur lidhjen e personaliteteve që jetuan në të njëjtën botë e epokë, e ndoshta s’dëgjuan kurrë për njëri-tjetrin. Esetë dy kapitujve të tjerë trajtojnë personazhe, ngjarje, fenomene kulturore e shoqërore, përshkuar nga pena dhe mprehtësia e fjalës poetike.
Disa prej këtyre eseve, përmes së cilave Lako synon të nxisë rileximin e veprave të shkuara të shkrimtarëve të huaj dhe shqiptarë, po i sjellim gjatë kësaj jave në Gazetën Liberale.
Hasan Tahsin & Hoxha Tahsin
Ndërsa punonte për këta qiej derisa të shfaqej edhe i nënti, ose qielli i Zotit, ai bashkoi shkencën e gjuhësisë me atë të yjeve, si një poliglot dhe astronom i madh.
Shqiptarëve u intereson të flasin për rolin e tij si rektor i parë i universitetit të Stambollit dhe si themelues i tij, ku zuri vendin e nderit pas studimeve për astronomi në Sorbonë, gjatë kohës kur për 12 vjet me radhë kreu shërbesat fetare për punonjësit e ambasadës së Perandorisë Osmane.
Kjo është periudhë, kur në të gjitha universitetet e botës japin kontribute me vlerë shkencëtarët arabë, mes të cilëve, mësues shumë i rëndësishëm i Hoxha Tahsinit mbetet Al-Khuarizmi, i cili, që në shekullin IX i eksporton Europës algoritmin, si rrethbalancim i dy anëve të një ekuacioni dhe transferim i një njësie që nuk mund të ketë gjendjen e parë.
Ky sistem balancimi e bën Hasan Tahsinin, nga njëra anë të shtyjë përpara qytetërimin turk dhe në anën tjetër, të zgjojë qytetërimin që do t’u vijë shqiptarëve nga lëvrimi i gjuhës së tyre. Ndoshta, në ndonjë lloj algoritmi, ai vendosi si dy anë të shtjellimit të një ekuacioni edhe Francën me Turqinë në vazhdimësi me tabelat e llogarive aritmetikore të Al Khuarizmit, të cilat derivojnë prej atyre të Brahmës indiane.
Kjo kozmologji “algjebrike” prej kohës së Naim Frashërit do t’i shkonte për shtat edhe Moikom Zeqos të ditëve tona, ashtu si ekzistencës shqiptare dikur do t’i jepte shtysë krijimi i Shoqërisë së Stambollit të Shkronjave Shqip, e cila për herë të parë do të shfaqë botën shqiptare, këtë aneks të madh të botës mbarë. Kjo ndodh në vitin 1879, kur vetë mendimi shqiptar u trondit, për të krijuar derivatet e reja të postperiudhës së menjëhershme të Lidhjes së Prizrenit prej së cilës shqiptarët fituan më tepër guxim shprehës. Këtë guxim Hoxha Tahsini e tregoi me kërkesat e tij për të modernizuar alfabetin e turqishtes dhe për ta shkëputur atë prej arabishtes si gjuhë e fesë.
Manushaqe Halili kërkoi, mblodhi, përktheu faqe të tëra, me po atë durim që kishte punuar në Kinostudio, për t’i rrëfyer lexuesit shqiptar punën e një dijetari të shqetësuar për mbrothësinë, duke transmetuar në revistën e tij shkencore edhe përvojat e revolucionit borgjez francez drejt lirisë dhe barazisë si shenjë e një kulture kolektive ku merr pjesë.
Me stilin e qetë dhe të qartë, si ai që nevojitet për observimin e yjeve, mprehtësia e mendimit plekset te ky filozof e shkencëtar me komunikimin e thjeshtë. Por mbi të gjitha, duke ndier pushtetin e përparimeve teknologjike të kohës dhe gjendjen e përgjithshme ballkanike apo aziatike, ai shkruan me një forcë goditëse kundër paditurisë. “Ndërsa fëmija ynë, kur do t’i dëgjojë fjalët matematikë, histori, gjeometri, do të pyesë se çfarë janë, janë njerëz, kafshë apo fruta”, shkruan ai.
Hoxha Tahsini bëhet kështu një nxitës i ndryshimeve të mëdha që ndikojnë në reformimin e perandorisë së madhe, nga themelet kushtetuese e deri te strukturat gjuhësore. Ky dijetar, hulumtues dhe filozof që ndjek rrugën e Kopernikut dhe të Keplerit, bëhet frymëzues edhe për të drejtat themelore të ekzistencës së shqiptarëve që gjendeshin pa atdhe dhe kombësi, të cilët kishin nevojën e një sovraniteti kombëtar në një botë që gjithnjë i prish ekuilibrat. Dhe, duke u nisur nga themelet e një shoqërie me të drejtën e besimit të thellë, edhe krijimi i ngrehinave të tjera shoqërore, ku një vend të rëndësishëm zënë shkollat dhe universitetet, nuk mund të jenë të nevojshme lidhjet e një qarku të shkurtër. Madje, me atë thjeshtësinë sublime të dijetarëve të mëdhenj e mendjendritur, ai sugjeron në revistën e tij edhe mësime didaktike.
***
Në themel të gjithë jetës, Hasan Tahsini vë zhvillimin e idesë së përparimit njerëzor, siç thotë në revistën nr. 5: “Nuk ka dënime për çështje që mbeten në qëllime”.
Mendoj se gjeneratat e sotme ende kanë për të zbuluar mbi horizontet që na kanë lënë paraardhësit e mëdhenj. Nëpërmjet Hoxha Tahsinit kuptojmë më mirë jetën që gëlon brenda një perandorie të tërë, deri prej influencave që vijnë për reformimet gjuhësore që nga koha e Pjetrit të Madh të Rusisë, si dhe nevojës së shkëputjes së gjuhës turke nga pushteti absolut i arabishtes si gjuhë e fesë, deri te shkrimi.
Ndërsa mua më mbetet të shtoj çfarë do të thotë traditë dhe vetëdije e një trashëgimie, kur një grua fisnike me prejardhje nga fisi i Tahsinit, për hir të dashurisë për nënën e saj çame, plot heshtje e durim përgatiti botimin më serioz për ketë dijetar që përpëlitet ta nxjerrë diturinë nga shpërgënjtë, për një perandori të tërë.
Mirënjohja ndaj Manushaqe Halilit duket si një qëndrim ndaj një pike vështrimi, për të kuptuar më mirë se cili ishte dhe mbetet Hoxha Tahsim, ndoshta Da Vinçi shqiptar, me pikturën dhe skulpturën që mund ta përdorte vetëm për imagjinatën. Edhe kur në shkrimet e tij analizon hieroglifët kinezë të lashtësisë, ku fjala grua shkruhet me një katror të vogël, krejt si një emoji i sotëm, që prej mijëra vjetësh nënkupton dhomën. Ose fjalën seks. (25 maj 2020)
*Shkëputur nga libri “Njeriu si një tjetër” i autores Natasha Lako, botuar në vitin 2023 nga shtëpia botuese UETPRESS