E njohur si skenariste e poete, Natasha Lako ka qenë gjithmonë përkrah shkrimit edhe si gazetare. Përgjatë viteve ajo ka botuar në shtypin e kohës një sërë esesh, të cilat vijnë të përmbledhura në këtë botim të UETPRESS, nën titullin “Njeriu si një tjetër”. Në pjesën e parë autorja vendos autorë të huaj pranë atyre shqiptarë, duke gjetur lidhjen e personalitteve që jetuan në të njëjtën botë e epokë, e ndoshta s’dëgjuan kurrë për njëri-tjetrin. Esetë dy kapitujve të tjerë trajtojnë personazhe, ngjarje, fenomene kulturore e shoqërore, përshkuar nga pena dhe mprehtësia e fjalës poetike.
Disa prej këtyre eseve, përmes së cilave Lako synon të nxisë rileximin e veprave të shkuara të shkrimtarëve të huaj dhe shqiptarë, po i sjellim gjatë kësaj jave në Gazetën Liberale.
Bogdani dhe Herakliti
Ka lindur njëherë e një kohë një varg i Pjetër Bogdanit, i cili mund të na çojë deri te Herakliti:
Qiellshit ngrihen gurë dhe zjarr.
Nuk ka si të mos fillojë me këtë varg letërsia shqipe, me këtë shpërthim dramatik të elementeve që kanë krijuar botën dhe përmbajnë tronditjen dhe fuqinë e zjarrit.
Në vitin 1865, në anën tjetër të Adriatikut, në Padova të Italisë, botohej “Çeta e Profetëve”, vepra e parë origjinale e shkruar në shqip ku, përveç interpretimeve të fillesave biblike, psalmeve të Davidit, disa vargjeve të Homerit, merr frymë ky varg, në të cilin vetëm fjala “qiellshit” ngrihet si monument.
Brenda kësaj bote apokaliptike, akoma më apokaliptike mund të duket lidhja mes Heraklitit, një prej zbuluesve të parë të botës fizike që ka jetuar në shekullin VI para erës së re, dhe Bogdanit të viteve 1625 – 1689, që jetën e tij e lidh me fillesat e shpirtit, të shkruar në shqip.
Por arti, kjo forcë që dërgon edhe tokën drejt qiellit, nuk ka se si të mos përafrojë shekujt, gurët dhe zjarrin e Bogdanit, që Herakliti vazhdon të na i tregojë edhe sot.
Nga këto fillesa madhore, me dhjetëra shekuj ngjitur e ngjitur, forca e fjalës zbret vazhdimisht drejt krijimit apokaliptik, mes gurëve të ngritur drejt qiellit, një rrugë që për Pjetër Boganin fillon prej Gurit të Hasit, fshatit të tij të lindjes, profetisht drejt qiellit sa edhe sot nuk dihet ku ka qenë i vendosur. Edhe zjarri duket sikur po arratiset prej tokës. E prapëseprapë, Pjetër Bogdani gjendet vetë në një botë reale po aq të prekshme sa guri, atje ku historia s’është gjë tjetër përveçse pushtim i një njeriu prej një tjetri.
Për ne, vetëm një fjalë e ngarkesave biblike prej Pjetër Bogdanit do të mjaftonte që të kthente gjithë botën fizike në një botë shoqërore ku ka ndodhur trandja. Fjala “qiellshit”, me dendësi shtrydhëse brenda vetes, si vetë ngjarje që mbushet me gurë dhe zjarr, ka dalë si vringëllima e një shpate të sapo nxjerrë nga milli, duke përmbledhur gjithë dramat brenda një trupi vetëlëvizës apo si një velë e sapo ngritur për udhëtim. Qiellshit. Vetë-paemërsi!
Drejt një fillese mijëvjeçare, Bogdani fton jo vetëm botën, por edhe njërën prej gjuhëve më të vjetra të saj. Nuk mund të ketë shqipja një fjalë tjetër me energji kaq të madhe dhe me një qiell të presuar, e njëkohësisht, të çliruar sa më s’ka. Madje, nuk ka kundërthënie më të madhe, sesa kur një qiell, që prej tokës, me gurë dhe zjarr, krijon vetë veten e tij, aq sa paralajmëron edhe bashkëpunimet e një mendjeje kryengritëse; edhe vdekjen e tij nga murtaja, edhe zhvarrimin që nuk është legjendë.
Nuk ka më as lamtumirë për botën e dikurshme të Romës, as mirëseardhje të dikurshme të botës së Odiseut. Në këtë fjalë të krijuar si vetvete, është qielli i krijuar prej tokës, në të cilin gjendet vdekja, pamundësia, kërcënimi, mohimi i personalitetit dhe i identitetit. Dhe bota, si përbërje, ka edhe fjalën.
Madje, me një dhè të shprishur e të ngritur drejt qiellit, duket sikur edhe djalli nuk e ekziston.
Dy-tre njerëzve që përgatitën të parët librin “Çeta e Profetëve”, atyre që përndoqën librin dhe njeriun, që ndaluan librin dhe njeriun, që rizbuluan librin dhe njeriun, atyre që shfletojnë sot veprën dhe zbulojnë njeriun e tij, Pjetër Bogdani iu dha një qiell më të rëndë dhe më tokësor se ai i Heraklitit, duke bashkuar tokën dhe qiellin ashtu si janë betuar shqiptarët shpesh dhe ndoshta edhe Bogdani vetë, herë si meshtar i një fshati të vogël, herë duke studiuar në Romë, herë si episkop, herë si administrator i Tivarit, herë si arqipeshkop i Shkodrës dhe Shkupit, duke mos heshtur mes konflikteve edhe kur e heqin prej varrezave të Prishtinës për ta hedhur në Drin.
Ati ynë qi je ëmbë qiellt.
Dhe qielli jeton prej tokës dhe prej fateve të saj.
Facebook-u ndoshta e ka fajin që mund të vendosë edhe më shpejt në një fillesë gjuhësore të shkruar në shqip, Bogdanin me Heraklitin, Heraklitin me Gadamerin, Gadamerin me Poliandrin dhe Homerin, Homerin me Ciceronin, Ciceronin me Augustinin, Augustinin me zgjedhjen e vullnetit, vullnetin e lirë të Augustinit me Bogdanin që shkruan.
*Shkëputur nga libri “Njeriu si një tjetër”, i autores Natasha Lako, botuar në vitin 2023 nga shtëpia botuese UETPRESS