Letërsi

DORËSHKRIM nga Luan Rama, botim i UETPRESS/ Henry Miller - nga bota e prostitucionit tek lëvdimi i shpirtit 

Shkruar nga Liberale

DORËSHKRIM nga Luan Rama, botim i UETPRESS/ Henry Miller - nga bota e

Shfletoj librin Jours tranquilles à Clichy, (Ditë të qeta në Clichy) dhe përpiqem të imagjinoj jetën e tij dhe të artistëve të tjerë të ardhur përtej Atlantikut, kohën kur ulur kafeneve: “Po shkruaj, nata bie dhe njerëzit shkojnë të hanë darkën. Është një ditë gri si ato ditë që sheh shpesh në Paris… Parisi në thelb është një qytet gri.

E them këtë sepse në fushën e akuarelit, piktorët amerikanë e përdorin tepër dhe në mënyrë obsesionale ngjyrën e parafabrikuar gri por në Francë gama e grisë duket e pafund dhe madje për këtë, efekti i grisë e ka humbur forcën e vet. Një ditë si kjo, në të njëjtën orë kisha mundësi të shikoja “Sacre-Coeur” nga çdo lloj këndi, ose përgjatë ”Rue Lafayette” për t’u ngazëllyer plotësisht.

Dhe kjo ndodhte edhe kur kisha uri dhe kur s’kisha ku të flija… Në një ditë gri, shpesh shkoja të shëtisja në sheshin e Clichy-së, në Montmartre. Nga Clichy deri në Aubervilliers ka një varg kafenesh, restorantesh, teatrosh, kinemash, dyqane këmishash, hotele e bordello. Është Broadway i Parisit. Broadway është shpejtësia, zhurma shurdhuese, marramendje e dritave ku s’ke ku të ulesh.

Ndërsa Montmartre është i plogësht, dembel, indiferent, disi i neglizhuar dhe rrëmujë, më tepër tërheqës se magjepës. Ajo nuk shkëlqen me xixëllima por djeg si një karbon përvëlues. Broadway provokon, ka ndonjëherë efekte magjike, por është pa flakë, pa ngrohtësi: është një kuadër pasqyre që shndrit, parajsa e njerëzve të publicitetit. Montmartre është lodhur shumë, zbehur, braktisur… Ka disa bistro të vogla që frekuentohen veçse nga kurvat, batakçinjtë, bixhozçinjtë dhe mafiozët dhe po të kalosh andej më shumë se një herë, mund të përfundosh të biesh në grackën e tyre.

Ky sharm mashtrues i Montmartre-s është i lidhur më së shumti nga shfrytëzimi i seksit. Por në fakt s’ka asgjë romantike të këtij lloj seksualiteti, veçanërisht kur ai komercializohet. E ajo mund të krijojë diçka nostalgjike, ndryshe nga seduksioni e tërheqja që krijonte një Gay White Way, një nga femrat më të famshme. Është e dukshme që seksualiteti zhvillohet në një dritë të butë, të ëmbël, me një ritëm të përmbajtur dhe jo nën dritat e neonit.

Nga njëra anë e sheshit gjendet kafeneja “Wepler” që për shumë kohë ishte e parapëlqyera ime. Ulesha jashtë apo brenda, gjatë gjithë kohës, në të gjitha orët e ditës apo të natës. Për mua ishte një libër i hapur. Aty shikoje të gjitha fytyrat: kamarierët, padronet, ata që mbanin arkën, gratë që lanin enët, të cilat janë ngjizur në kujtesën time si pamjet e një libri që do të shfletoja çdo ditë.

Më kujtohet kur hyra për herë të parë në Wepler duke tërhequr me vete gruan time dhe kur pashë të rrëzohej një kurvë e dehur për vdekje duke u shembur në tavolinat e vendosura në hyrje dhe ku askush nuk u ngrit ta ndihmonte.U habita nga indiferenca e francezëve, çka më habit ende, edhe pse më vonë zbulova shumë gjëra të tyre të mira. “Eh, hiçgjë! Thjesht një kurvë! Është dehur tapë!”… I dëgjoj ende këto fjalë që më bëjnë gjithnjë të drithërohem…”

Një nga miqtë që e ndihmoi në këtë periudhë të vështirë të jetës së tij kur do të provonte urinë e përditshme ishte avokati amerikan Richard Osborn, i cili çdo mëngjes i linte një kartmonedhë 10 frangshe që të mund të ushqehej gjatë ditës. Por ai që do t’i gjendej në ditë të vështira dhe të përjetonin sëbashku aventura nga më të habitshmet ishte gazetari Albert Pèrles, i cili në atë kohë punonte si gazetar për degën parisiane të gazetës “Chicago Tribune”. Kur Pèrles e takoi në Paris, e gjeti me një dollar në xhep.

Më pas Pèrles do t’i jepte ndonjë rubrikë mbi ngjarje nga Parisi ku të shkruante fillimisht me emrin e Perles e më pas me emrin e tij, thjesht për të mbajtur frymën gjallë. Pikërisht me të, emri i të cilit në libër është Carl, janë dhe episodet më çoroditëse e libertine të jetës së tyre në Clichy. Ata jetonin në bulevardin Anatol France.

“Ishte një fortesë e komunizmit francez, - do të shkruante Pèrles. - Kalonim shumë kohë në kuzhinë ku bisedonim, vend i cili do ishte i paharrueshëm për botën tonë. Aty vinte aktorja Lyanes kur dilte nga teatri. Po aty vinte Anaïs Nin e cila u tregua dhe një kuzhinere e mrekullueshme. Pinim dhe netët i kalonim në një lloj orgjie, ku miku ynë i bankës Osborn përfundonte duke kërcyer nudo.”

Miller e pëlqente shumë piktorin francez Georges Rouault, të cilit i referohet në një libër të quajtur Buzëqeshjet poshtë shkallës dhe ku ndër të tjera shkruan: “Duke medituar për jetën dhe veprën e Rouault, i cili më ka tërhequr mjaft, mendoja për atë lloj kllouni që kisha qenë gjithnjë. Mendoja për pasionin tim të cirkut, sigurisht i një cirku intim, në mënyrën e asaj eksperience si spektator dhe si aktor, i zhytur thellë në ndërgjegjen time”.

Një herë Henry Miller kishte njohur një rus, një ish kapiten të “ushtrisë së bardhë” që të mund t’i gjente një vend për të fjetur. Një ditë rusi e ftoi në shtëpinë e tij në periferi të Parisit, në Suresnes. Ai donte që Miller t’i mësonte anglisht. I vunë një dyshek përtokë që të flinte por kur shkoi, gjeti atje një grup të madh rusësh në krye të tavolinës bashkë me tre qen që u pinë dhe u dehën keq. Meqë kur u shtri pa një krimb, atëherë atij i erdhi për të vjellë dhe mbeti pa gjumë deri në mëngjes. Që atë natë nuk u duk më në dhomën e rusit… Njëherë tjetër, atë e kishte strehuar për të fjetur një indian që shiste perla në Rue Lafayette me kusht që t’i pastronte shtëpinë nga pluhurat. Por fatmirësisht, meqë në Dijon kërkonin një mësues të anglishtes, pas disa ditësh Miller e la indianin e perlave dhe pastrimin e shtëpisë së tij dhe shkoi për t’u kthyer disa kohë më vonë me disa para në xhep…

Amerikanët i pëlqenin shumë prostitutat franceze pasi gjenin tek ato një eksperiencë të panjohur. Miller përshkruan gjithë prostitutat e asaj lagjeje, ku ndër të tjera tregon dhe për një prostitutë me një këmbë druri që dhe ajo kishte klientelën e vet të përhershme në cepin e një rruge. Ç’personazhe romaneske! Në një nga kabaretë ishte ajo që quhej “Borëbardha”, një tridhjetë e pesë vjeçare me flokë të gjata dhe sy blu. Kishte madje femra që pas seksit kërkonin si të çmendura ndonjë mjek pasi ishin në një gjendje ekstaze të vazhdueshme.

Emrat e tyre në librin e Miller janë Adrienne, Colette, Nancy, Eliane, Mara… por spektri i prostitutave ishte mjaft i gjerë, pasi në Paris dyndeshin prostituta nga e gjithë bota. Në përshkrimet e tij, Miller shkruante për prostitutat belge, spanjolle, polake, zvicerane, nordike, luksemburgase, jugosllave, etj.

Liberale Newsroom

Bashkia e Tiranës mbi 3 muaj pa kryetar! A duhet të shpallë qeveria zgjedhje të reja për kryeqytetin?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH