Editorial

Lufta e përbashkët për mbijetesë e Ramës, Berishës dhe Metës

Shkruar nga Liberale
Lufta e përbashkët për mbijetesë e Ramës, Berishës

Nga Fitim Zekthi

Në pamje të parë duket sikur sistemi politik në Shqipëri, forcat kryesore politike janë në një luftë të pazakonshme, në një luftë gati fundore me njëra tjetrën. E vërteta është se sistemi politik është në një luftë gati fundore dhe kjo është lufta e tij për mbijetesë dhe jo një luftë fundore mes forcave politike që përbëjnë sistemin.

Çfarë përfaqëson në thelb dhe pse ky sistem është në një luftë për mbijetesë? Demokracia në Shqipëri ka dështuar plotësisht. Vendi ynë është në të vërtetë një lloj autokracie, nga ato që njihen si regjimet e buta autokratike ku në sipërfaqe zhvillohen zgjedhje, ka shtyp, lejohet formalisht gara elektorale dhe fjala e lirë, ka ekonomi tregu gjasme të lirë etj. Autokracia në Shqipëri ka marrë formën e plotë të asaj që Douglas North, një studiues amerikan, fitues i çmimit Nobel, e quan "rendi shoqëror me akses të mbyllur".

Rendi shoqëror me akses të mbyllur bën që çdo person apo grup që ka akses apo potencial për dhunë të përfshihet në vendimarrjen politike, të ketë pushtet politik, ti shërbejë pushtetit politik dhe sistemit politik. Këta individë apo grupe me potencial për dhunë apo me akses tek dhuna marrin renta dhe privilegje në ekonomi në përpjestim të drejtë me potencialin dhe aksesin tek dhuna. Me potencial dhe akses për dhunë kuptohet fuqia për të shkaktuar vrasje, për shkaktuar akte të ndryshme dhune si grabitjet apo rrëmbimet, për të trafikuar drogë, për të shantazhuar njerëz, për të blerë vota, për kërcënuar policë dhe prokurorë, për të blerë media, për të blerë deputetë etj.

Të gjithë këta njerëz me këtë lloj potenciali, thotë Dougkas North, duke marrë rol në vendimmarrjen politike, duke marrë renta dhe privilegje në ekonomi (tenderë, prona, koncesione, të mira publike të ndryshme) kthehen në një kolonë të sistemit politik. Ndarja mes tyre dhe sistemit politik nuk ekziston. Ata kanë rol bazik në marrjen e vendimeve politike. Ky lloj mekanizmi, kjo ndarje e të mirave publike dhe e rentës mes tyre në përpjestim të drejtë me potencialin dhe aksesin për dhunë bën që sistemi të sigurojë paqen e brendshme, të rritet dhe bëhet i fortë dhe të garantojë nëpërmjet këtij mekanizmi mbijetesën.

Tiparet themelore të këtij rendi janë marrëdhëniet personale dhe jo ligjore, të gjithë i zgjidhin punët me mik ose me ryshfet, aksesi tek burimet apo tek e drejta bëhet vetëm duke qenë pjesë e mekanzimit të mbyllur të sistemit. Kur brenda sistemit dikush bëhet më i fortë se sa ishte, ka rezonancë më të fortë brenda aktorëve të sistemit, kontrollon më shumë vota ose më shumë njerëz, rrit potencialin për dhunë atëherë ka konflikt. Ky konflikt synon të çojë në ekuilibër forcën e re të fituar me privilegjet dhe rentat që merren nga sistemi. Pra brenda sistemit ka një luftë për jetë a vdekje që zhvillohet mes aktorëve të vetë atij për të rritur fuqinë, për të pasur më shumë individë apo grupe me akses tek dhuna, për të ndikuar më shumë vendimmarrjen politike dhe për të pasur me shumë renta dhe privilegje.

Shqipëria është saktësisht ky lloj rendi shoqëror sot. Edhe vende të tjera në botë kanë shenja të këtij rendi shoqëror. Shenja të këtij rendi shoqëror ka edhe në Maqedoni apo në Kosovë, shenja të këtij rendi janë të qarta në Peru apo në Ekuador, në Guatemala apo në Kosta Rika.

Ky rend shoqëror në vitet e qeverisjes së kryeministrit Rama ka mbërritur në një pikë që nuk ka qenë kurrë më parë. Kjo për shkak edhe të faktit që Rama e stimuloi vetë, e kërkoi vetë, e ushqeu vetë, e kishte synim krijimin e një sistemi të tillë. Në qeverisjet para Ramës ndërtimi i këtij sistemi ka qenë diçka që ka ndodhur natyrshëm, qeveritë mund ta kenë toleruar apo pëlqyer, e kanë përdorur dhe lejuar por nuk e kanë ushqyer në këtë masë, nuk e kanë pasur synim instalimin e tij në këtë formë tmerrësisht të rrezikshme.

Si ka ndodhur ose cila ishte rruga e ndërtimit të këtij sistemi ose e ndërtimit të rendit shoqëror me akses të mbyllur? Francis Fukuyama thotë se me rënien e diktaturave në të gjithë Europën Lindore pas vitit 1990, (edhe në shumicën e vendeve të Afrikës, të Azisë Juglindore dhe të Amerikës së jugut) nisi ndërtimi i demokracisë. vendet zgjodhën lirinë, shteti ishte i dobët, sundimi i ligjit edhe më i dobët. Si pasojë e lirisë por edhe e sundimit të dobët të ligjit ata njerëz që ishin më të "fortë" bënë ose biznes të ndershëm dhe nisën të pasurohen ose biznes të pandershëm (kontrabandë, trafik njerëzish, trafik droge etj) dhe nisën të pasurohen edhe më shumë. Grupi i dytë në fillim korruptoi policin e lagjes (sepse individët e lidhur me krimin në fillim aq fuqi kishin) pastaj korruptoi shefin e policisë së qytetit, më pas korruptoi apo shantazhoi prokurorin, korruptoi deputetin duke e ndihmuar me vota, dhe me kalimin e viteve u bë aq i fortë sa arriti të korruptoi ministrin apo kryeministrin duke u ofruar atyre fuqinë e vet për dhunë.  Kjo gjë ka ndodhur për një periudhë prej 30 vitesh dhe gjatë kësaj periudhe këta individë apo grupe janë rritur shumë duke rritur ndikimin tek politika dhe duke rritur varësinë e kësaj të fundit tek këta. Kështu gradualisht jemi tek rendi shoqëror me akses të mbyllur që kemi sot.

Sot në Shqipëri sistemi politik është në një luftë ekstreme për mbijetesë. Aktorët më të fuqishëm Rama, Berisha, Meta përbëjnë zemrën e sistemit politik. Sigurisht që sistemi ka edhe aktorë të tjerë të fortë si Veliaj, Balluku, etj… që mund të jenë në radhët e këtyre tre aktorëve qendrorë. Të tre këta aktorë qendrorë janë në një luftë të egër mes njëri tjetrit brenda sistemit për të rritur fuqinë politike, për të zgjeruar dhe rritur aleancat me aktorët me akses tek dhuna, për të rritur rentat dhe privilegjet brenda sistemit. Lufta mes tyre do të jetë e përjetshme ndonëse ajo ka periudhat e veta të paqes kur secili prej aktorëve qendrorë merr aq renta dhe aq fuqi ndikuese në vendimarrje sa ai dhe aleatët e tij kanë potencial për dhunë.

Edhe Lulzim Basha ka qenë pjesë e këtij sistemi politik, siç është Veliaj apo Balluku sot, dhe ka qenë për pasojë pjesë e këtij rendi me akses të kufizuar. Ndonëse Basha dukshëm nuk ka pranuar të mbajë afër, të përkrahë njerëz me akses tek dhuna apo me potencial për dhunë dhe nuk u ka dhënë atyre kurrë role politike ai duke qenë pjesë e sistemit politik që kishte në zemër të tij Ramën, Berishën dhe Metën ka ndjekur lojën e sistemit politik.

Në një moment një forcë madhore, për fatin e madh të Shqipërisë, si SHBA-ja vendosi të ndërtojë mekanizmi që synojnë shkatërrimin e këtij rendi shoqëror me akes të mbyllur të ndërtuar nga sistemi politik. Sado të duket e dyshimtë, sado të duket e ngadaltë, sado të duket dëshirë, është fakt që SHBA që nga nisja e procesit për një reformë në drejtësi ka hapur rrugën e shkatërrimit të sistemit politik dhe rendit me akses të mbyllur. Duhet thënë që drejtësia ishte thjesht një produkt 30 vjeçar i sistemit politik dhe i rendit me akses të mbyllur që i shërbente egërsisht vetëm këtij rendi. Padyshim që Rama është më në zemër të rendit dhe aktori më i fuqishëm i rendit. Rama ka ndikuar edhe reformën, tërë sistemi ka ushtruar presion mbi reformën por gjithsesi reforma në drejtësi ka prodhuar një realitete të ri kundër sistemit politik.

SHBA duke shpallur Berishën non grata nxori edhe Bashën nga sistemi politik, e bëri atë (Bashën) një forcë politike që tashmë u vu përballë sistemit politik të rendit me akes të mbyllur. Në këtë moment PD-ja e drejtuar nga qasje e re e Bashës u bë një aleate e SHBA-së kundër sistemit politik me akses të mbyllur. Basha mund të jetë detyruar me pahir, mund të ketë dashur vetë të "jetë i detyruar", mund të ketë punuar që të jetë "i detyruar" por fakt është që ai doli nga të qenit pjesë e sistemit politik të rendit me akses të mbyllur dhe nisi ti rrijë atij përballë dhe ta sulmojë sistemin politik, ta quajë atë "trekëndëshi i Bermudës".

Siç e thamë aktorët e sistemit politik janë armiq të egër dhe luftojnë për rritje të fuqisë mes njëri tjetrit por ata janë të gjithë pjesë e të njëjtit sistem. Lufta më e egër e tyre është lufta për të mbajtur në këmbë sistemin në të cilin ata jetojnë. Është si çështja e një liqeni ku jetojnë peshq, bretkosa dhe gjarpërinj apo e një pylli barngrënës dhe mish ngrënës (armiq të njëri-tjetrit)  apo si e çdo e një habitati natyror në të cilin jetojnë armiq të egër të njëri tjetrit por secili nuk jeton dot fare nqs thahet liqeni, pritet pylli,  prishet habitati.

Kështu që sistemi politik shqiptar me aktorët bazë sot Rama, Berisha dhe Meta është në një një luftë për mbijetesë. sistemi sot nuk ka synim tjetër vetëm mbijetesën, vetëm ruajtjen e rendit shoqëror me akses të mbyllur. Sot sistemi ka thirrur ëdo lojtar, çdo individ apo grup me akses për dhunë apo me potencial për dhunë, çdo individ që marrë diçka nga sistemi ose ka shërbyer në sistem në këto 30 vite që të rreshtohet me sistemin. Rënia e njërit prek aktorëve qendrorë të sistemit (Rama, Berisha, Meta) do të rrëzonte një pjesë, një këmbë apo një kolonë të sistemit dhe më pas gjithë sistemi do të gremisej. Prandaj gjithë sistemi është bashkë dhe është i gjithi kundër forcës madhore që synon ta groposë atë dhe kundër forcës politike (PD-së së drejtuar nga Basha nga shtatori në mars dhe grupit që drejtohet nga Alibeaj) që goditi sistemin që prej shtatorit të vjetshëm. Sistemi politik me tre aktorët qendrorë ishte bashkë në konfliktin që u zhvillua në PD, ishte bashkë në kontrollin dhe dirigjimin e mediave sa i takon konfliktit në PD, ishte bashkë në zgjedhjet e 6 marsit, ishte bashkë në ngjizjen e "revolucionit për marrjen e PD". Kjo është një logjikë politike e zakonshme. Kështu do të vepronte çdo forcë politike që jeton si pjesë e një sistemi politik të tillë. Kjo është një luftë për mbijetesë. Sa më shumë rrezikohet mbijetesa e këtij sistemi aq më i egër ai do të bëhet./Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH