Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj në Konferencën Rajonale për Luftën Kundër Trafikimit të Qenieve
Njerëzore u shpreh se shumica e njerëzve e shohin trafikimin e vajzave më shumë si diçka teorike dhe jo-reale.
Ndërsa theksoi se ai ishte njëri prej atyre që e kanë jo-reale, por si një çështje akademia.
Tani që është në postin e ministrit të Brendshëm sipas Lleshajt e sheh ndryshe, një çështje reale që prek thelbin e shoqërisë sonë.
"Jo më larg se dje, kam qenë në një takim ku ishin dhe disa vajza viktima të trafikut, të cilat ishin tashmë të strehuara në një qendër sociale. Dua të them që ky fenomen është i prekshëm ndonëse për një pjesë të madhe të shoqërisë ende konsiderohet si diçka teorike dhe jo-reale. Dua ta pranoj, edhe vetë e kam konsideruar për shumë kohë, përpara se të isha në këtë pozicion ku jam, si një temë që më dukej disi më shumë çështje akademie, çështje NGO-sh, sesa një çështje reale, e prekshme që e prek thelbin e shoqërisë sonë.
Përgjithësisht thuhet dhe pranohet se trafikimi i personave sot është trajta moderne e skllavërisë, e cila sjell kosto jashtëzakonisht të mëdha për shoqërinë, në të gjitha planet. Në thelb, ajo prek atë për të cilën ne ekzistojmë si shoqëri, si shtet; lirinë, demokracinë, vlerat humane dhe prandaj edhe adresimi i këtij fenomeni kërkon vëmendje të madhe shoqërore", u shpreh Lleshaj. /Gazeta Liberale