Në Bruksel takimi mes kryeministrit të Kosovës Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, mori krejt tjetër vëmendje për shkak të një detaji.
Kreu i shtetit serb para takimit me z. Hoti ka pritur Komisionerin për Zgjerim, Oliver Varhelyi, në Ambasadën serbe dhe në mjediset ku u zhvillua takimi u pa qartë një libër i vendosur mbi tavolinë i titulluar: “The Christian Heritage of Kosovo and Metohija” (Trashëgimia e Krishterë e Kosovës dhe Metohisë)
Ky detaj ka ngjallur mjaft reagime në rrjetet sociale. Ministrja e Jashtme e Kosovës Meliza Haradinaj-Stublla, në një postim në Facebook, e quajti si skandal diplomatik, provokim dhe ekspozim të qëllimshëm.
Përpara nisjes së takimit të parë fizik mes kryeministrit të Kosovës dhe presidentit serb, përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Marrëdhënie me Jashtë dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell, tha se inkurajon palët që të demostrojnë një frymë kompromisi.