Mes akuzave izraelite dhe palestineze për bombardimin e spitalit Al-Ahli në Gaza, shërbimi Verify i BBC-së po përpiqet të zbulojë atë që ndodhi, duke shqyrtuar video, imazhe dhe prova të tjera, përfshirë edhe rrëfimet e dëshmitarëve okularë.
Shpërthimi
Shpërthimi në spital ndodhi të martën, rreth orës 19:00 me orën lokale. Një video prej 20 sekondash e publikuar në mediat sociale që pretendonte të tregonte shpërthimin ishte e dhëna e parë e madhe për incidentin.
Pamjet e drejtpërdrejta nga rrjeti mediatik "Al Jazeera" të shfaqura në orën 18:59 me kohën lokale kapën një objekt të ndritshëm mbi Gaza. Ai pulson dy herë përpara se të ndryshojë në mënyrë drastike drejtimin dhe më pas shpërthen.
Disa komentues argumentojnë se kjo është një raketë që duket se shpërthen ose shpërbëhet. Pamjet e tjera në kanalet e mediave sociale tregojnë të njëjtin shpërthim nga këndvështrime dhe distanca të ndryshme.
Deri më tani, gjetjet nuk çojnë në përfundime të qarta. Tre ekspertë thonë se fotografia nuk është në përputhje me atë që mund të pritej nga një sulm tipik ajror izraelit.
Andres Gannon, një asistent profesor në Universitetin Vanderbilt në SHBA, thotë se krateret në tokë dukeshin të vogla, që do të thotë se ato mund të ishin shkaktuar nga mbeturinat e raketave. Justin Bronk, studiues i lartë në Institutin Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara me bazë në Mbretërinë e Bashkuar (RUSI), është dakord. Edhe pse është e vështirë të jesh i sigurt në një fazë kaq të hershme, provat sugjerojnë se shpërthimi u shkaktua nga një dështim i raketës.
Dëshmi vizuale nga vendi i shpërthimit
BBC konfirmoi detajet e ndërtesave me imazhe satelitore të disponueshme publikisht për të vërtetuar se shpërthimi ndodhi në spital.
Nga informacionet e disponueshme, mësohet se shpërthimi ka ndodhur në një oborr që është pjesë e ambienteve të spitalit. Pamjet e tokës pas shpërthimit nuk tregojnë dëme të konsiderueshme në ndërtesat e përreth spitalit.
Spitali është në pronësi të Kishës Anglikane dhe drejtohet prej saj. Kancelarja e Kolegjit St. George në Jerusalem i tha BBC-së se rreth 1000 persona të zhvendosur ishin në oborrin e spitalit kur u godit, ndërsa rreth 600 pacientë dhe personel ishin brenda ndërtesës.
Viktimat
Një reporter i BBC-së vizitoi spitalin këtë mëngjes. Një burrë i tha se gratë, fëmijët dhe të moshuarit ishin në spital kur ndodhi shpërthimi.
Patologu Derrick Powder, një anëtar themelues i "Doctors for Human Rights UK", i specializuar në lëndimet gjatë konflikteve, ka parë disa nga imazhet. "Lëndime ka të ngjarë kanë ardhur nga shpërthimit."
Ministria palestineze e Shëndetësisë njoftoi të mërkurën se 471 persona kishin vdekur.
Pala izraelite ka thënë se numri është fryrë qëllimisht, por nuk ka publikuar vlerësimin e vet se sa prej tyre kanë vdekur. Për shkak të mungesës së aksesit të organizatave të pavarura në zonë, është e vështirë të verifikohet numri i të vdekurve.
Ajo që ne nuk e dimë ende
Një nga elementët më kritikë është morfologjia e kraterit të lënë pas nga shpërthimi. Ushtria izraelite pohon se mungesa e një krateri të madh dëshmon se shpërthimi nuk u shkaktua nga forcat izraelite.
Një tjetër element i rëndësishëm që mungon janë fragmentet e raketave. Pradhët shpesh janë të identifikueshme nga mbetjet e predhave të tyre dhe mund të përdoren për të përcaktuar origjinën e predhës. "Por në këtë rast, ne nuk e kemi parë atë provë," vëren BBC.
IDF ka lëshuar një regjistrim të asaj që thotë se është një bisedë e dëgjuar mes dy luftëtarëve të Hamasit, të cilët dyshohet se pranojnë se spitali është goditur nga një raketë e lëshuar nga Xhihadi Islamik Palestinez (PIJ). PIJ është grupi i dytë më i madh militant në Gaza dhe mbështeti sulmin e Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor.
Megjithatë, nuk është e mundur të ekzaminohet në mënyrë të pavarur regjistrimi dhe, në një deklaratë, PIJ mohoi çdo përfshirje, duke fajësuar Izraelin për shpërthimin./Liberale.al