Nga Armand Kullau
Gjithmonë i risjell në kujtesë ngjarjet e vitit ‘97 sa herë që kritikohet apo goditet Policia e Shtetit sepse nëse ferri do të hapte dyert në historinë e Shqipërisë viti ‘97 është shembulli se si kaosi shumëfishon të keqen brenda njeriut kur nuk ka shtet, kur nuk ka polici, kur nuk ka frikë nga drejtësia. Nuk mund të harrohet Lufta Civile sepse ajo nuk është vetëm përgjegjësi e Partisë Demokratike por edhe turpi i Partisë Socialiste për të treguar se politika i ndëshkon fajtorët dhe fajtorët shkojnë në burg e jo në parlament. Ajo që mbaj mend dhe do e vlerësoj gjithmonë është Policia e Shtetit, policia që luftonte e tradhtuar dhe e braktisur nga politika, policia e cila vritesh nga psikopatë social të mësuar me aromën e gjakut njerëzor, persona të cilët rrëmbenin adoleshente për t’i kthyer në prostituta dhe linin kufoma njerëzore rrugës për të tmerruar komunitetin, individë të cilëve policia u tregoi vendin me besimin se e ardhmja ndërtohet duke luftuar dhe punuar çdo ditë.
Klientelizmi i medias në vendin tonë e harron këtë fakt por bën propagandë kundra institucioneve shtetërore megjithëse ka njerëz që nuk ndjekin pasurinë dhe pushtetin por ndjekin historinë për t’i gdhendur emrat në faqet e saj, për t’u dhënë një leksion guximi dhe këmbënguljeje brezave të ardhshëm. Vrasja e nënkomisarit Saimir Hoxha para dy ditësh në Lezhë dëshmoi qartë se vrasja e tij nuk është një rast i izoluar por kambanë për komunitetin tonë, kambanë për familjen, arsimin dhe shthurjen e heshtur të shtetit policor. Është një akt i drejtpërdrejtë i drogës kundra rendit, i pushtetit të bandave kriminale kundra mobilizimit të policisë, i dështimit të sistemit arsimor kundra vet suksesit të sistemit arsimor. Kjo ngjarje tregon se si copëzimi i familjes shqiptare transformohet si efekt domino duke shkatërruar familje të tjera. Ku është shkolla për fëmijët në nevojë, ku është shteti për këta fëmijë? Pse duhet të denigrohet rinia kur ajo është produkt i shoqërisë sonë? Ku është shteti për policët që punojnë pa jelek antiplumbi dhe orar pa orar? Kujt i duhen dekoratat dhe krismat në funeral? A sjell ndërgjegjësim fjala dëshmor, i tradhtuar dhe i përdorur nga segmente shtetërore?
Policia e shtetit gjendet në mes të një rreziku të përhershëm, nga njëra anë janë bandat kriminale që i ekzekutojnë dhe i bëjnë presion vazhdimisht dhe nga ana tjetër është politika që përdor policinë duke e kthyer atë në një kurban që me gjakun dhe mishin e saj ushqen histerinë e turmave kur ato dalin jashtë kontrollit nga tragjeditë që vijnë nga vendimet e vet politikës. Uniforma Blu në Shqipëri shfrytëzohet si leckë për të fshirë çizmet e gjakosura të politikës, ajo është një ortek që krijohet dhe aktivizohet për të shkatërruar protestat kundra politikës së korruptuar, është dora e politikës që shkatërron dhe ndryshon reputacionin e policisë duke penguar zhvillimin e një kombi, për ta mbytur frymën kolektive të kombit me sprajt dhe shkop gome.
Kjo pasi duke ruajtur dhe trashëguar varfërinë intelektuale dhe ekonomike, korrupsioni i politikës triumfon gjithë kohës duke mbajtur shoqërinë shqiptare në depresion të përhershëm. Merita e politikës që në 30 vjet ka bërë më keq se të gjitha demokracitë ballkanike është aftësia e saj për të krijuar dordolecë për të mbrojtur parcelat e krimit dhe të korrupsionit duke shpërndarë krimet e saj. Këta dordolecë, politika e korruptuar i përdor për të hequr përgjegjësinë nga syri i opinionit publik dhe dordolecët e saj janë oligarkët, drejtësia, media klienteliste dhe së fundmi policia. Jo se këta nuk kanë përgjegjësi për hajnitë që kanë ndodhur por pushteti absolut buron nga politika dhe ne duhet të kërkojmë llogari ndaj saj për të pastruar parlamentin nga mollët e kalbura dhe jo të denigrojmë policinë për korrupsionin e një pjese që nuk përfaqëson policinë por korrupsionin që përhapet nga maja e piramidës. Policia jonë ka merita të jashtëzakonshme sepse po flasim për një polici me rroga qesharake, për rrezik jete të përhershëm, punë orar pa orar dhe në fund mos të harrojmë, ajo është shkopi në dorën e Maliqit.
Shkopi mund të bjerë mbi të gjithë ne por është në ndërgjegjen tonë të ndajmë shkopin nga dora e Maliqit pasi fajtor për çdo plagë shoqërore është varfëria, mungesa e arsimimit dhe këto plagë i hapin me kthetrat e tyre Maliqët tanë që rikthehen të gjithë si zgjatime të komunizmit. Janë Maliqët historik që rilindin me forma të ndryshme njerëzore në Shqipëri por me të njëjtën ide në kokë se vetëm ata ekzistojnë dhe pjesa tjetër e justifikon ekzistencën për t’iu shërbyer atyre. Dhe kur komuniteti nuk bindet, ai dhunohet nga kërbaçi dhe po ky komunitet nga padija dhe hipokrizia e medias mban inat me kërbaçin dhe jo me Maliqët tanë, fajtorët e vërtetë të bandave kriminale, të korrupsionit dhe të shkatërrimit të dinjitetit të Policisë së Shtetit. /Gazeta Liberale