Ervis Iljazaj
Që pushteti gjyqësor në Shqipëri në këto 30 vite tranzicion është një nga pushtetet më problematike dhe të korruptuara kjo nuk vihet në diskutim. Të gjitha sondazhet që janë bërë mbi perceptimin e nivelit të korrupsionit në institucionet shqiptare e kanë nxjerrë pushtetin gjyqësor në vend të parë.
Në këtë kuptim, ajo që po trumbeton fortë Kryeministri Edi Rama, se gjyqtar e prokuror janë të korruptuar dhe se ndoshta ndonjëri prejt tyre favorizon krimin e organizuar, nuk përbën ndonjë risi për opinionin publik në Shqipëri.
Risi në fakt përbën ligji anti-korrupsion, ose ndryshe KÇK-ja e famshme që kryeminsitri i ka paraqitur opinionit publik, i cili u prezantua në një teatër, vend jo shumë i përshtatshëm për hir të vërtetës për procedurën legjislative. Ligji në vija të trasha i ngjan ligjit Italian anti-mafia me disa detaje dhe ndryshime për Shqipërinë. Mirëpo, siç dihet, djalli fle në detaje.
Nuk ka asnjë gjë të keqe që një qeveri mendon të aprovojë një ligj të tillë për luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, e kundërta do të ishte e kritikueshme.
Problemi është se çfarë mban brenda ky ligj dhe çfarë po tentohet t'iu thuhet shqiptarëve nëpërmjet tij, dhe kjo është mëse e diskutueshme në këtë rast, madje në një këndvështrim edhe absurde.
Kur i shikon të gjitha prioritet e ligjit të ri duket sikur cdo gjë do të shkojë në rregul, dhe cdo gjë është e duhur, madje e vonuar. Në fakt, prezantimi i sotshëm dukej më shumë si një fushatë elektorale se sa një politikë konkrete që do të bëhet. Sepse, po ti hysh në detaje ligjit ka shumë vështirësi për tu zbatuar për të gjitha kontekstet institucionale, shoqërore dhe juridike ku nodhet Shqipëria.
Megjithatë, zbatueshmëria e tij dhe dukja si një fushatë elektorale nuk janë problemi më i madh i kësaj nisme. Problemi më i madh i kësaj nisme është pika ku flitet për luftën ndaj korrupsionit. Qeveria nëpërmjet këtij ligji i jep të drejtën vetes të hetojë nëpërmjet policisë pasuritë e njërëzve të dyshuar, të prokurorve dhe gjyqtarëve, apo kujtdo tjetër, duke shkelur të gjitha procedurat ligjore të një hetimi dhe duke hyrë në kompetencat e porkurorisë. Jo vetëm që hyn dhe cenon kompetencat e prokurorisë, sepse është kjo e fundit që ka të drejtë të hetojë dhe të akuzojë, por shkelë dhe të drejtat dhe liritë themelore të njeriut me procedurat që parashikohen në këtë ligj, që janë të gjitha në dorë të politicës së shtetit, pra të pushtetit ekzekutiv.
Pa hyrë shumë në detaje të ligjit, me pakë fjalë, qeveria nga objekt hetimi i luftës kundër anti-korrupsionit kthehet në hetues. Dhe ky është problemi më i madh i kësaj nisme absurde.
Në një regjim demokratik, pushteti ekzekutiv nuk jep drejtësi, nuk kontrollon dhe as lufton korrupsionin në pushtetin gjyqsor, por ndodh krejt e kundërta. Ndër shekuj, përpjekja e shoqërive demokratike ka qenë pikërisht të ndërtojë institucione për të kontrolluar pushtetin, pra qeverinë. Në këtë kuptim, pushteti ekzekutiv nuk mund të kthehet nga objekt kontrolli në kontrollues. Sepse nëse ndodh kështu, atëherë nuk jemi në një shtet të së drejtës, por në një parti-shtet.
Gjatë 30 viteve tranzicion shqiptarët janë mësuar me politikën që jep dhe bën drejtësi. Pikërisht për këtë arsye, me një sforco të madhe shoqërore, politike dhe ekonomike u aprovuar Reforma në Drejtësi, një nga reformat më të përfolura dhe që ka mbajtur peng shqiprinë për tre vite me radhë. Me shpresën se, drejtësia e re do të vendosë të bëjë drejtësi në mënyrë të pavarur, ndryshe nga seç jemi mësuar, ku kjo e fundit ka qenë totalisht e kapur nga pushteti politik. Mirëpo, nëse drejtësinë e re e bën përsëri qeveria, atëherë çfarë ka ndryshuar nga 30 vitet e fundit me Reformën në Drejtësi!?
Fakti është se, në mënyrë totalisht kontradiktore Edi Rama dhe qeveria e tij ka marrë flamurin e Reformës në Drejtësi dhe si forca politike që e kërkon me ngulm atë, duke mos patur asnjë merak apo asnjë frikë, edhe pse tashmë kanë 6 vite në pushtet. Me sa duket, Edi Rama kërkon jo vetëm të jetë flamurtari i drejtësisë së re, por edhe të bëjë vetting dhe drejtësi për prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar, duke zëvendësuar në këtë mënyrë organet e reja të drejtësisë./Gazeta Liberale