Nga Erl Kodra
Hapja e Negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ishte qartësisht politike dhe gjeostrategjike. Pas agresionit rus kundër Ukrainës, Europa e gjeti veten të ekspozuar rëndë ndaj një rreziku të madh, të cilin e injoronte prej dekadash. Për më tepër, varësia nga gazi dhe nafta ruse kishte tejkaluar logjikën ekonomike duke e shndërruar atë në logjikë gjeopolitike. Dhe padyshim, në një realitet tjetër energjitik të Europës, Vladimir Putin nuk do të ndërmerrte pushtimin e Ukrainës.
Kjo është luftë reale, dhe Europa ka përvojë të bollshme në këtë drejtim. Tashmë është e qartë se rajoni më i rrezikuar i kontinentit është Ballkani, sidomos duke patur parasysh Serbinë dhe lidhjet e saj historike me Rusinë. Në këtë kuptim, Europa është e detyruar të bashkojë politikisht kontinentin, duke përfshirë në gjirin e saj edhe Ballkanin. Dhe kjo duhet të ndodhë sa më shpejt që të jetë e mundur, mundësisht brenda disa viteve. Çmimi që do të paguhet nga vonesat e mëtejshme mund të jetë disa herë më i lartë se sa një anëtarësim i shpejtë gjeopolitik.
Nëse ju kujtohet, Bashkimi Europian kishte vendosur herë 12, 13 dhe 15 kushte për hapjen e negociatava, kushte të cilat asnjëherë nuk janë plotësuar, megjithatë, kjo nuk e pengonte Parlamentin Europian të votonte herë pas here hapjen e tyre. Me fjalë të tjera, qeveritë ballkanike ishin dhe janë të korruptuara, por tani nuk është koha e përshtatshme që gjerat të trajtohen njësoj si tre - katër vite më parë.
Qartësisht, situata e re gjeopolitike në Europë dhe rreth botës dikton reagim të menjëhershëm. NATO dhe Bashkimi Europian janë dy instrumentat kryesor të perëndimit për t'u mbrojtur nga agresioni rus. NATO po zgjerohet në veri të kontinentit me Suedinë dhe Finlandën, ndërsa Bashkimi Europian po zgjerohet me vendet e Ballkanit. Kjo duhet të përfundojë sa më shpejt që të jetë e mundur. Por nëse për Suedinë dhe Finlandën antarësimi në NATO është më shumë se një formalitet, për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut anëtarësimi në Bashkimin Europian është sfidë e përmasave kritike.
Qartësisht, kalendari politik i Bashkimit Europian ka ndryshuar nën ndikimin e agresionit rus në Ukrainë. Si asnjëherë më parë, koordinimi mes Bashkimit Europian dhe SHBA-ve është rritur, herë me të mirë e herë me të keq - se nuk do të lejohet që Ballkani të shërbejë si një bazë ruse brenda kontinentit, dhe se ky rajon do t'i bashkëngjitet politikisht, ekonomikisht dhe ligjërisht perëndimit. Në rrethanat aktuale koha është gjëja me e çmuar, dhe se pengesat do të bien njëra pas tjetrës.
Hapja e Negociatave ishte hapi i parë.
Hapi i dytë do të jetë rrëzimi i qeverisë së Edi Ramës. Përndryshe, zhvillimi i negociatave me qeverinë më të korruptuar të kontinentit është mision i pamundur. Negocimi i Kapitujve të ndryshëm është punë konkrete që kërkon rezultate të prekshme. Përafrimi i legjislacionit tonë me atë të BE-së kërkon vota në parlament. Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit kërkon gjithashtu rezultate. Këtë luftë nuk do ta bëjnë UFO-t, por qeveria dhe drejtësia.
Qeveria e Edi Ramës ngjanë me një bandë dhe vet Edi me një kapobandë, ndaj të negociosh me këtë qeveri është njësoj si të negociosh me një ogranizatë kriminale. Kjo nuk mund të ndodhë, kurrsesi.
Prandaj Edi Rama do të rrëzohet me çdo çmim. Kalendari politik i Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara nuk lejon që qeveria e tij të përfundojë mandatin e plotë. Ndaj ata po veprojnë shpejt dhe energjikisht.
Me shumë gjasa do të ketë një qeveri teknike, e mbështetur formalisht (e detyruar) nga një shumicë e cilësuar PD-PS, e cila do të votojë pa kushte gjithçka që do të vijë nga negociatat. Ndërkohë lufta kundër krimit dhe korrupsionit do të thellohet.
Politika shqiptare po reformohet. Kush nuk e sheh është qorr politik.