Globi

"Ishte ngazëlluese", deklarata e profesorit amerikan për sulmin e Hamasit shkakton trazira, rasti i dytë pas Harvardit

Shkruar nga Liberale
"Ishte ngazëlluese", deklarata e profesorit amerikan për
Reagime të forta kanë shkaktuar komentet e një profesori të Universitetit Cornell gjatë fjalimit të tij në një tubim në favor të palestinezëve, i cili komentoi sulmin e papritur të Hamasit mbi Izrael. Sipas asaj që shkruan gazeta amerikane "New York Post", Russell Rickford, i cili jep mësim histori në universitetin më të lartë në Itaka, Nju Jork, përdori mbiemrat "ngazëlluese" dhe "elektrizuese" për të përshkruar sulmin e papritur të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor. Një video e postuar nga një student i Cornell të dielën e kaluar tregon Rickford duke mbajtur një fjalim të pasionuar në të cilin ai thotë se pushtimi i Izraelit nga militantët e Hamasit ka "ndryshuar ekuilibrin politik" dhe i ka dhënë një goditje "iluzionit se Izraeli është i pathyeshëm". Sipas Rickford, shumë palestinezë të lindur në një regjim dhune dhe shtypjeje ishin në gjendje të merrnin frymë për herë të parë në shumë vite pas sulmit. “Ishte ngazëlluese. Ishte elektrizuese. Nëse ata nuk do të emocionoheshin nga kjo sfidë ndaj monopolit të dhunës, nga kjo zhvendosje e dhunshme e pushtetit, atëherë nuk do të ishin njerëz. Më dukej ngazëlluese”, dëgjohet duke thënë profesori para turmës së mbledhur në klipin e postuar nga studenti. Dy studentë të tjerë që dëgjuan komentet e profesorit u shprehën të tronditur për gazetën amerikane, pa dhënë detaje se kur u zhvillua saktësisht tubimi pro-palestinez . "New York Post" u përpoq të kontaktonte profesorin dhe administratën e Universitetit, por nuk ka pasur asnjë përgjigje për publikimin deri më tani. Në 24 orët e mëparshme, një tjetër anëtar i stafit të Universitetit ishte në shënjestër të kritikave, pasi ai e karakterizoi sulmin e Hamasit si një “akt rezistence”. Reagimet nga donatorët e universiteteve të Ivy League Pak ditë më parë, një tjetër universitet amerikan Ivy League mori kritika për mënyrën se si e trajtoi krizën në Izrael. Miliarderi izraelit Idan Ofer dhe gruaja e tij, Batia, kanë dhënë dorëheqjen nga bordi ekzekutiv i fakultetit të Harvardit në shenjë proteste për mënyrën se si drejtuesit e universiteteve janë përgjigjur ndaj sulmeve terroriste të Hamasit. “Fatkeqësisht, besimi ynë në udhëheqjen e Universitetit është shkatërruar dhe ne nuk mund të vazhdojmë të mbështesim Harvardin dhe komitetet e tij me mirëbesim”, tha çifti në një deklaratë për CNN. Vendimi i Ofer për t'u larguar nga bordi ekzekutiv i Shkollës së Qeverisjes Kennedy të Harvardit vjen pas një zhurme për publikimin e një deklarate anti-izraelite nga një grup prej rreth 30 studentore. Letra e hapur fajësonte vetëm Izraelin për sulmet e përgjakshme të Hamasit dhe shkaktoi reagime të forta. Sipas "Guardian", disa biznesmenë amerikanë kërkuan që Universiteti të publikojë emrat e studentëve, në mënyrë që punëdhënësit e tyre të ardhshëm të dinë pikëpamjet e tyre për këtë çështje. Një nga ata sipërmarrës është Bill Ackman, CEO i Pershing Square, i cili shkroi në një postim në X se ata që mbështesin veprimet e terroristëve duhet ta bëjnë këtë hapur dhe jo të fshihen pas një organizate të madhe. Letra, e publikuar të dielën e kaluar, thoshte se Izraeli mban përgjegjësinë e plotë për shpërthimin e dhunës, duke shtuar se miliona palestinezë janë të detyruar të jetojnë në një burg të hapur pa asnjë mjet shpëtimi. Jonathan Nieman, CEO i zinxhirit të restoranteve Sweetgreen, kërkoi gjithashtu që të zbuloheshin emrat e studentëve pas letrës. “Do të doja t’i njihja që të mos i punësoja kurrë këta njerëz”, shkruan biznesmeni për X. Sipas një raporti të "New York Times", kritika publike ndaj institucioneve arsimore nga biznesmenë të shquar amerikanë lidhur me qëndrimin e tyre ndaj zhvillimeve në Izrael është vetëm maja e ajsbergut. Pjesa më e madhe e presionit vjen nga prapaskena , nga financuesit e Wall Street, të cilët përbëjnë një grup të fuqishëm donatorësh në universitete si Stanford, Universiteti i Pensilvanisë dhe Cornell./Liberale.al

Liberale Newsroom

A është e pranueshme (dhe e ligjshme) ndërhyrja e kryeministrit Rama në çështjet e brendshme të disa prej bashkive të vendit?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH