Një 46 vjeçar është arrestuar nga policia e Elbasanit për armëmbajtje pa leje. Sipas policisë, bëhet fjalë për shtetasin me inicialet K. R., 46 vjeç, banues në Elbasan, i cili akuzohet për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me Sektorin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme dhe me Sektorin Operacional në DVP Elbasan, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative se një shtetas mbante armë zjarri në banesë, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Start”. Si rezultat i këtij operacioni, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit: K. R., 46 vjeç, banues në Elbasan, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta””, njofton policia.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit K. R., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pushkë dhe një armë të ftohtë (thikë).
Mësohet se, materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.