15 shkurti është Dita Botërore e Hipopotamit dhe ka si synim inkurajimin e njerëzve, që të ndërmarrin veprime për të ndaluar zhdukjen e tyre. Hipopotamët janë vendas në Afrikë, por në Amerikën e Jugut janë të gjithë pasardhës të katër hipopotamëve, që jetonin në kopshtin zoologjik të një prej kriminelëve më famëkeq të të gjitha kohërave.
Pablo Escobar, që njihet ndryshe si "Mbreti i drogës" kishte një kopsht zoologjik privat në pronën e tij në Kolumbi, me kafshë si zebra, gjirafa, flamingo dhe katër hipopotamë. Pasi Escobar u vra në vitin 1993, shumica e kafshëve u zhvendosën me përjashtim të të ashtuquajturve "hipopotamët e kokainës". Sipas studiueses, Nataly Castelblanco ishte e vështirë që t'i lëvizje kafshët, kështu që autoritetet thjesht i lanë atje, ndoshta duke menduar se kafshët do të ngordhnin.
Kur Escobar u vra në Kolumbi në vitin 1993, kafshët në kopshtin e tij zoologjik u zhvendosën të gjitha, përveç hipopotamëve. Ata u futën në sistemet e lumenjve lokalë dhe tani, pothuajse 30 vjet më vonë, popullsia e tyre është rritur. Nuk ka një numër të saktë, por mendohet që të jenë rreth 100 kafshë, të cilat konsiderohen si një shqetësim. Mirëpo, numrat parashikohen të rriten dhe e gjithë kjo ka hapur një debat mes studiuesve, të cilët janë pro dhe kundër eliminimet të tyre.
Pse hipopotamët e Pablo Escobar janë të rrezikshëm
Biologia dhe studiuesja kolumbiane Nataly Castelblanco thotë se, “është e qartë se na vjen keq për këto kafshë, por si shkencëtarë duhet të jemi të sinqertë. Hipopotamët janë një specie pushtuese në Kolumbi dhe nëse nuk vrasim një pjesë të popullsisë së tyre tani, situata mund të dalë jashtë kontrollit në vetëm 10 ose 20 vjet".
Por i gjithë problemi nuk është vetëm tek hipopotamët, por tek fakti që në Amerikën e Jugut ata nuk kanë grabitqarë natyrorë, që do të thotë se mund të riprodhohen shumë më lehtë. Një faktor tjetër është moti në Kolumbi, i cili nuk është i njëjtë me atë në Afrikë.
"Në të vërtetë në Amerikën e Jugut kushtet e motit duken aq ideale për hipopotamët, saqë studimet tregojnë se ata fillojnë të riprodhohen në mosha më të hershme", ka thënë studiuesja për BBC.
Sipas biologes, hipopotamët po përhapen në pellgun më të madh lumor të Kolumbisë, nga i cili me mijëra njerëz sigurojnë jetesën e tyre. Një zgjidhje sipas veterinerit, Carlos Valderrama është kastrimi, por edhe kjo nuk është kaq e thjeshtë. Jo vetëm për shkak të peshës 5 ton dhe agresivitetit, por edhe për shkak të kostos. Veterineri tha se mësimi kryesor i eksperimentit ishte, se vetëm kastrimi nuk ishte një opsion, veçanërisht duke pasur parasysh faturën prej 50,000 dollarësh.
Hipopotamët janë të rrezikshëm dhe shpesh shfaqen në listat e kafshëve më vdekjeprurëse në botë. Në vitin 2016, BBC raportoi se sulmet e tyre vrasin të paktën 500 njerëz në vit në Afrikë. Nuk ka pasur viktima në Kolumbi, por mediat lokale kanë raportuar më herët, se një punëtor ferme u plagos rëndë nga një hipopotam në një qytet pranë Hacienda Napoles.
Pse nuk duhet të vriten hipopotamët
Megjithatë, pati një protestë masive publike kur ushtarët e Ushtrisë Kolumbiane vranë hipopotamin Pepe në vitin 2009, pasi u konsiderua një kërcënim për komunitetet lokale. Sipas biologut David Echeverri, edhe pse vrasja e hipopotamëve është duke u diskutuar, kjo nuk ka gjasa të ndodhë shumë shpejt, pasi opinioni publik e pengon këtë dhe për këtë arsye u duhet të gjejnë zgjidhje të tjera. Në një studim tjetër, të botuar në revistën PNAS, autorët zbuluan se edhe pse këto kafshë konsiderohen si dëmtuese, ato ofrojnë përfitime që nuk duhen anashkaluar.
Erick Lundgren, një student i doktoraturës në Universitetin e Teknologjisë në Sidnej dhe autori kryesor i studimit, thekson se Toka dikur ishte e mbuluar me barngrënës të mëdhenj.
"10 mijë vjet më parë kafshët gjigante u gjuajtën të gjitha deri në zhdukje nga njerëzit. Me humbjen e këtyre kafshëve, ne humbëm edhe përfitimet e tyre për ekosistemet në planetin tonë", ka thënë ai.
Studiuesit analizuan 72 specie të mëdha pushtuese dhe krahasuan tiparet e tyre ekologjike. Në 64 për qind të rasteve, ata zbuluan se speciet e ditëve moderne po përshtateshin në zona ekologjike që kanë mbetur bosh për mijëra vjet.
Lundgren paralajmëron, se jo domosdoshmërisht hipopotamët e Pablo Escobar duhet të lihen ashtu siç janë, veçanërisht nëse ato po shkaktojnë dëm te njerëzit, por duhet bërë kujdes, me etiketimin e tyre si specie të këqija, pasi kjo tregon se përfitimet e tyre nuk po studiohen. /V.Sh - Liberale.al