Një e afërme e policit, i cili vrau veten mbrëmjen e djeshme në Delvinë ka folur për gazetën “Express”.
“Është diçka që s’e kemi i imagjinuar kurrë se mund ta bënte, nuk e dimë se çfarë ka kaluar ai në momentin kur ka ndërmarrë atë veprim. Nuk kemi asnjë ide për shkaqet. Presim policinë të hetojë”, është shprehur ajo.
Po ashtu, e afërmja ka rrëfyer se, polici ka lënë pas 3 fëmijë dhe gruan e tij.
“Nuk është i divorcuar se ka 3 fëmijë. Ai ka bërë vetëvrasje por nuk është në shtëpi me qira nuk është as i vetëm ka një familje, 3 fëmijë. Ngjarja është tronditëse për familjen tonë. Ai jeton në Delvinë për shkak të punës ndërsa shtëpinë e tij me gruan dhe fëmijët e ka në Gjirokastër”, ka thënë ajo për Express.
Sipas policisë, 54 vjeçari dyshohet se është vetëvrarë me armën e shërbimit në banesën e tij.
"Më datë 08.07.2022, rreth orës 21:00, në Delvinë, dyshohet se është vetëvrarë me armën e shërbimit në banesën e tij, shtetasi E. B., 54 vjeç, me detyrë trupë shërbimi sigurim objekti dhe informacioni në Komisariatin e Policisë Delvinë. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes", njoftoi policia.