Vështirë se gjendet një ekip tjetër nga një vend më i vogël me histori kaq të madhe në skenën magjepsëse të futbollit botëror si Holanda. Ndonëse nuk e kanë ngritur asnjëherë në histori Kupën e Botës, holandezët e kthyen shumë shpejt futbollin në një ‘akademi shkencore’ duke dhuruar spektakël dhe emocione të rralla, aq sa kanë arritur të fitojnë në gjysmën e fundit të këtij shekulli admirues të shumtë anembanë globit.
Holanda është modeli më i mirë që vërteton rëndësinë që ka telenti, për të shkuar te suksesi. Tre herë në finale, Holanda dy herë është mundur nga skuadrat që e kanë organizuar turneun dhe në po aq finale është “dënuar” të humbasë në kohë shtesë. Ka humbur trofeun, por jo dinjitetin, as identitetin dhe shpirtin e lartë të një kombi që futbollin e ktheu në art përmes “artistëve” që van Gogh do donte t’i shihte në fushën e blertë.
Historikisht pjesë e Kupës së Botës, holandezët e gjetën papritur veten jashtë Botërorit Rusi 2018.
Por siç thirren ndryshe, tulipanët, dinë ta rigjejnë vetveten dhe janë përsëri gati për Kupën e Botës Katar 2022, nën drejtimin e Louis van Gaal, i njëjti trajner që i udhëhoqi Portokallinjtë drejt vendit të tretë në Brazil 2014. Holanda do të ketë në Katar një pjesë të vogël të lojtarëve që lanë pas ecurinë e tyre të fundit, të paharrueshme në Botërorin e Brazilit. Por në pjesën më të madhe, skuadra e Van Gaal do të përbëhet kryesisht nga lojtarë që nuk e kanë përjetuar kurrë më parë një Kupë Bote.
Ekip me një bosht të fortë, nën komandën e qendërmbrojtësit Virgil Van Dijk dhe lojtarit Frenkie De Jong, holandezët kryesuan grupin e tyre kualifikues. Ata humbën vetëm një ndeshje nga dhjetë, duke lënë pas Turqinë dhe Norvegjinë.
Të besuarit e Van Gaal do të shkojnë në Katar 2022 si një nga skuadrat më në formë të momentit, të pamposhtur prej gjashtë ndeshjesh edhe në Ligën e Kombeve këtë vit (nuk u mposhtën as prej Belgjikës dhe Uellsit). Hera e fundit që holandezët përjetuan një humbje ishte ajo e 27 qershorit 2021, kur Republika Çeke i mundi ata në raundin e 16-të të UEFA EURO 2020.
Ata kanë treguar thuajse në çdo Botëror ku kanë qenë prezent se mund të shkojnë larg. Madje shumë larg, deri në finale, përtej çdo parashikimi. Kanë fituar reputacion në botë sepse i kanë dhuruar futbollit atë për të cilin ai ka më shumë nevojë, spektaklin, dhe përmes tij kanë argëtuar ndoshta më shumë se çdo ekip tjetër tifozët, duke e shndërruar Botërorin në një event që për nga audienca nuk njeh kunkurentë. Në kërkim të identitetit të tyre, ata mund të lënë gjurmë siç dinë vetëm ata. Mund të konsiderohen të vegjël në një vend të vogël (që organizon këtë vit finalet e Kupës së Botës), por gjithnjë të mëdhenj përballë më të mëdhenjve.
Ndeshjet e Grupit A të Holandës
21 nëntor Senegal – Holandë (19:00 me orën lokale, Stadiumi Al Thumama)
25 nëntor Holandë vs Ekuador (19:00 me orën lokale, Khalifa International Stadium)
29 Nëntor Holandë – Katar (18:00 me orën lokale, Stadiumi Al Bayt)
/Liberale.al/