Aktualitet

Escobar: Kurti është partner, megjithëse në disa raste partner i vështirë

Shkruar nga Liberale
Escobar: Kurti është partner, megjithëse në disa raste

I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar tha gjatë një interviste për Institutin për Politikë dhe Ekonomi të Evropës Juglindore në Beograd se kryeministri i Kosovës Albin Kurti në disa raste është një partner i vështirë, por gjithsesi është partner i Shteteve të Bashkuara.

Në intervistën e bërë publike të dielën, zoti Escobar tha se tani duhet të gjendet një mënyrë për të çtensionuar situatën në veri të Kosovës dhe palët menjëherë të përqendrohen në zbatimin e marrëveshjes së Ohrit.

“Për Serbinë kjo do të thotë të fillojë procesin e ndaljes së bllokimit të integrimit evropian dhe ndërkombëtar të Kosovës. Për Kosovën do të thotë fillimi i menjëhershëm i procesit të zbatimit të Asociacionit të Komunave Serbe. Ne duhet të punojmë për të dyja këto menjëherë”, tha zoti Escobar.

Diplomatët perëndimorë janë vënë në përpjekje për të nxitur palët të ulin tensionet në veri të Kosovës, ku për më shumë se dy javë grupe qytetësh serbë po mbajnë protesta, pas vendimit të qeverisë në Prishtinë për të dërguar në zyrat komunale në veri kryetarët shqiptarë që dolën nga zgjedhjet e 23 prillit, të cilat u bojkotuan nga partitë serbe.

Kosovës po i kërkohet tërheqja e njësive të posaçme të policisë si dhe kryetarëve të komunave nga zyrat e tyre në veriun e banuar me shumice serbe, ndërsa Serbisë të ushtrojë ndikimin e saj për largimin e protestuesve dhe për të siguruar pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet e reja të mundshme në zonë, pa kushte.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha të dielën gjatë mbledhjes së Këshillit të përgjithshëm të partisë së tij, lëvizjes Vetëvendosje, se rruga për qetësimin e situatës në katër komunat në veri të Kosovës duhet të nisë me largimin e siç tha ai “bandave kriminale”. Ai tha se deri në zgjedhjet e hershme në komunat veriore, kryetarët e tanishëm duhet ta ushtrojnë detyrën e tyre, ndërsa u bëri thirrje serbëve që të marrin pjesë në zgjedhje, të cilat sipas tij duhet të jenë të lira, të hapura, pa frikë dhe pa kërcënime.

Zoti Kurti tha se dialogu për zbatimin e marrëveshjeve të 27 shkurtit dhe 18 marsit duhet të përshpejtohet dhe duhet një zbatim i balancuar dhe të drejtë të marrëveshjes bazike.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka bërë thirrje që Kosova të mos organizojë zgjedhje të reja për kryetarët e komunave në veri të saj derisa t'u jepet më shumë autonomi serbëve etnikë.

Diplomatët kanë paralajmëruar pasoja për Prishtinës dhe Beogradin në qoftë se nuk ndërmarrin hapa për çtensionimin e situatës në veri të Kosovës, hapjen e mundësisë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja dhe kthimin në tryezën e bisedimeve.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH