Editorial

EDITORIAL nga Ervis Iljazaj: Raporti i DASH konfirmon "demokracinë e ngrirë" shqiptare

Shkruar nga Liberale
EDITORIAL nga Ervis Iljazaj: Raporti i DASH konfirmon "demokracinë e

Ervis Iljazaj

Pas publikimit të Raportit të Departamentit të Shtetit Amerikan ditën e djeshme mund të nxirren dy konkluzione. Një politik dhe një teknik.

Ai politik ka të bëjë me faktin se politika shqiptare i përdor raportet dhe vendimet që vijnë nga institucionet amerikane sa herë që u shkon përshtat njërës apo tjetrës palë. Kur këto raporte kritikojnë palën kundërshtare, siç është në rastin e djeshëm, ku raporti ka nota problematike të theksuara për pavarësinë e gjyqësorit, për pavarësinë e medias dhe korrupsionin, për të cilat sigurisht që është përgjegjëse qeveria, këto institucione janë të besueshme dhe duhen marrë si referencë. Kur po të njëjtat institucione marrin vendime për të shpallur non-grata politikanë të caktuar, si në rastin e zotit Berisha, këto institucione janë të korruptuara apo të lobuara për të marrë vendime të tilla. Pjesa e opozitës që drejtohet nga zoti Berisha duhet ta ndajë mendjen nëse Departamenti i Shtetit është institucion i besueshme dhe duhet marrë si referencë apo jo. Standardi i Departamentit të Shtetit në Shqipëri o duhet pranuar gjithmonë ose asnjëherë.

Të njëjtën sjellje ka dhe qeveria sa herë që vendimet e tij janë kundër saj, si në këtë rast, ku theksohet korrupsioni i saj. Kjo është një qasje qesharake që politika shqiptare në përgjithësi ka në raport me vendimet që vijnë nga institucionet amerikane. Ky është tipar i 30 viteve tranzicion që kërkon ta përdorë Amerikën sa herë që i intereson dhe ta kritikojë sa herë që nuk i shkon përshtatë.

Konkluzioni i dytë ka të bëjë me çështjet teknike që ka brenda tij ky raport. Nuk ka dyshim se raporti është shumë kritik dhe paraqet një gjendje alarmante për drejtësinë, median dhe korrupsionin në Shqipëri. Po ta lexosh ky duket një raport i cili shkruar 15 apo 20 vite më parë. Në raportin e djeshëm problematikat që shfaq Shqipëria janë po të njëjtat të shumë viteve më parë.

Pasi kaluan disa vite nga tranzicioni, shumë prej nesh menduan se disa çështje të rëndësishme të tij morën zgjidhje përfundimtare, duke filluar që nga gara politike, qeverisja e vendit në mënyrë institucionale, alternativa opozitare apo vendosja e drejtësisë njëherë e përgjithmonë.

Raporti i djeshëm i DASH na solli edhe njëherë me këmbë në tokë, duke na kujtuar se gjendja e demokracisë shqiptare është në stanjacion, ose e thënë ndryshe, paraqitet me të njëjta probleme, të cilat kanë nevojë për t’u rishqyrtuar nga e para. Pra si të thuash, jemi në pikën zero edhe pas shumë viteve pluralizëm

Shumë politologë, panoramën që paraqet DASH për Shqipërinë, e quajnë me termin frozen democracy (demokraci të ngrira). Koncept i cili nënkupton vendet ish-komuniste që paraqesin po të njëjtat probleme për shumë vite me radhë.

Nëse shohim me kujdes të gjithë raportin e DASH, problematikat që ai paraqet për Shqipërinë, janë po të njëjtat. Problemi i pavarësisë së drejtësisë, autoritarizmi kryeministror apo korrupsionin të cilin sipas atij raporti është në krye të shtetit shqiptar, janë problematika që kanë shoqëruar gjatë gjithë tranzicionit politikën dhe shoqërinë shqiptare.

Prandaj, raporti i DASH, edhe pse nuk është një studim shkencor, ngre përsëri pikëpyetje të mëdha për realitetin politik shqiptar. Realitet i cili duket në stanjacion në të gjitha drejtimet dhe me problematika të cilat nuk po arrijmë t’i kapërcejmë. Ky stanjacion ka bllokuar dhe dialektikën politike. Duket sikur politika shqiptare nuk mund të prodhojë më asgjë, dhe i vetmi lajm politik mund të vijë nga drejtësia.

Nuk ka dyshim se kur mediat nuk janë të pavarura, kur gjyqësori ndikohet politikisht dhe kur ka korrupsion, këto janë simptomat e një demokracie të sëmurë. Problemi është se kjo gjendje tashmë është kthyer në një gjendje normale dhe ka zgjatur për shumë kohë. Alarmi që ky raport ngre, dhe që duhet të na shqetësojë të gjithëve , është fakti se, tranzicioni shqiptar mund të zgjasë edhe për shumë vite të tjera nëse nuk bëhen përpjekjet e duhura për ti dhënë fund. Demokracia nuk vendoset me kalimin e kohës. Ka vende të cilat kanë 50 apo 60 vite në tranzicion. /Liberale.al/

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH