Showbiz

E preferuara e Putinit drejt politikës, detyra e lartë shtetërore që pritet të marrë nga presidenti rus

Shkruar nga Liberale

Zonja e presidentit rus, Alina Kabaeva, është zhvendosur në një strehë të panjohur në Siberi. Sipas burimeve të cituara nga gazetat britanike “Sun” dhe “Mirror”, sanksionet e vendosura nga vendet perëndimore ndaj Putinit për shkak të luftës në Ukrainë kanë kufizuar udhëtimet e të preferuares së të fortit të Kremlinit.

Medalistja e artë olimpike në gjimnastikë ritmike dhe nëna e fëmijëve të liderit rus rrallë del në publik dhe tani është vendosur në rajonin e Azisë veriore. Në udhëtimin e saj të fundit dhe nën masa drakoniane sigurie, ajo shkoi në Omsk të Siberisë si e ftuar speciale në një event të kampionatit të gjimnastikës artistike.

Omsk, ku thuhet se është strehuar Kabaeva, është më shumë se 3200 kilometra nga të paktën dy pallate që ajo ndan me Putinin: njëri i fshehur në një pyll në liqenin Valdai në Rusinë veriore dhe tjetri në Gelendzhik në majë të një shkëmbi me pamje nga Deti i Zi.

Është e paqartë se sa gjatë do të qëndrojë në Siberi

Ajo, megjithatë, do të preferonte të qëndronte në Zvicër, ku lindi një nga fëmijët e tyre, siç raportojnë botimet e huaja. Mirëpo, kohët e fundit është përfolur se prania e Kabaevës në Siberi lidhet me ambiciet e saj politike.

Një teori është se ajo dëshiron të pasojë “Zonjën e Hekurt” të Rusisë, Valentina Matvienko. Ajo është presidentja e Këshillit të Federatës (dhoma e lartë e parlamentit rus), e cila është 74 vjeçe dhe shumë besojnë se ajo dëshiron të dalë në pension.

Ish-deputetja ruse që dezertoi në Ukrainë, Maria Makshakova, pretendon se qëllimi i Kabaeva është të marrë përsipër detyrat e Matvienkos. “Për fatin e Kabaevës, mendoj se ajo dëshiron të marrë rolin e Valentina Matvienkos, edhe nëse duket mjaft e vështirë”, thekson Makshakova për rrjetin “Fakty Ukraine” dhe shton:

"Kabaeva 'kupton kërcënimet e ardhshme' dhe rrezikun për veten dhe fëmijët e Putinit, nëse ai rrëzohet nëse shëndeti i tij përkeqësohet dhe ai nuk është më president i Rusisë. Ajo gjithashtu e kupton se karriera e saj atletike dhe medaljet nuk do ta shpëtojnë atë."

Që nga viti 2014, zonja e Putinit ka qenë kryetare e bordit të drejtorëve në National Media Group, që ndjek "vijën" e Kremlinit. Marrëdhënia e tyre filloi në mesin e viteve 2000, ndërsa Putin ishte ende i martuar me ish-gruan e tij, Lyudmila. Çifti u divorcua në vitin 2014.

Fëmija i parë i Putinit dhe Kabaeva thuhet se ka lindur para se të dilte divorci i presidentit rus. Nga ana e tij, i forti i Kremlinit nuk e mohon lidhjen e tij me Kabaevën, por as nuk e konfirmon. Por së fundmi, kamerat kanë kapur një unazë floriri në dorën e saj, e cila dyshohet se konfirmon zyrtarizimin e lidhjes së tyre./Liberale.al

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH