Policia e Durrësit arrestoi ditën e djeshme një 18-vjeçar, i denoncuar nga një vajzë se e ka përdhunuar. Sipas informacioneve të Policisë, 16-vjeçarja ka bërë denoncim ndaj djalit që pretendon se ka abuzuar seksualisht me të.
Sipas grupit të hetimit, dy të rinjtë kanë qenë njohur më parë përmes rrjeteve sociale, nga ku kanë komunikuar për një periudhë kohe.
Pas bisedave në “Instagram”, ata e kanë lënë të takoheshin me njëri-tjetrin dhe të njiheshin në kafe. Por pas kafes, jo vetëm që nuk u arrit konsensusi për një lidhje reale, por dy të rinjtë shkatërruan edhe lidhjen virtuale. Ata kishin vendosur që pas konsumimit të kafes të shkonin diku në një vend më të qetë, vend në të cilin 16-vjeçarja pretendon se djali që sapo kishte njohur kishte abuzuar seksualisht me të.
Sipas saj, 18-vjeçari me të cilin ishte njohur në “Instagram” i kishte kërkuar të kryenin marrëdhënie seksuale, kërkesë që ishte refuzuar nga adoleshentja.
“Më kërkoi të kryenim marrëdhënie seksuale. Unë e refuzova, me argumentin se sapo ishim njohur dhe nuk isha gati për këtë hap. Në këtë moment, ai veproi forcërisht”, ka treguar 16-vjeçarja në denoncimin e kryer me prindërit në Polici.
Nga ana e tij, 18-vjeçari ka mohuar akuzat e ngritura nga 16-vjeçarja.
“Është e vërtetë që kemi pasur njohje prej disa ditësh. U njohëm nëpërmjet rrjeteve sociale, në ‘Instagram’. Pas disa ditësh komunikime, vendosëm të dilnim në kafe e të njiheshim nga afër. U takuam një ditë dhe që prej asaj dite nuk e kam takuar më. Unë vendosa që të mos e shtynim më tej lidhjen, pasi nuk më pëlqeu. Ndryshe më dukej nga ‘Instagram’-i dhe tjetër njeri nga afër. Kjo është e gjitha. Ajo nuk e pranoi këtë fakt, madje edhe më kërcënonte. Mendova se do të ishte çështje kohe, por ajo e paska pasur seriozisht. Unë betohem që nuk kam abuzuar me të”, mësohet të këtë deklaruar 18-vjeçari, mbi të cilin rëndon akuza e përdhunimit.
Sipas "Panorama", për të hedhur më shumë dritë rreth kësaj ngjarjeje, Policia ka sekuestruar si prova telefonat dhe bisedat që dy të rinjtë kanë bërë në rrjete sociale.
Nga ana tjetër, do të jenë rezultatet e analizave, të cilat do të dalin nga Mjekësia Ligjore, ato që do të përcaktojnë nëse 18-vjeçari ka abuzuar me adoleshenten apo përdhunimi është pretendimi i kësaj të fundit./Gazeta Liberale