Boris Johnson do të japë dorëheqjen sot.
Boris Johnson refuzoi kategorikisht thirrjet për të dhënë dorëheqjen mbrëmë dhe shkarkoi në mënyrë dramatike rivalin e kabinetit Michael Gove, por duket se është dorëzuar sot.
Një valë e re dorëheqjesh ka bërë që shtatë ministra të tjerë t’i bashkohen eksodit të largimeve nga qeveria, e goditur prej krizës.
Johnson u takua me ministrat besnikë, të cilët i thanë atij se kishte humbur besimin e partisë konservatore. Aleatët e kryeministrit i kërkuan Mbretëreshës të shpërndajë parlamentin dhe të shkohet në zgjedhje të parakohshme.
Boris Johnson më në fund do të japë dorëheqjen sot pasi kancelari i kabinetit të tij dhe tetë ministra të tjerë u larguan duke kërkuar që edhe ai të pranonte realitetin.
Kryeministri e ka pranuar humbjen pas një reagimi “shkatërrues” të Nadhim Zahawi, i cili u emërua vetëm të martën mbrëma pas largimit të Rishi Sunak.
Ai i tha zotit Johnson se situata e tij nuk është më e qëndrueshme.
Edhe pse nuk dha dorëheqjen, Zahawi duket se e ka dhënë goditjen “vrasëse” me thirrjen e tij publike që Johnson të dorëzohej. Ai shkroi në Twitter: “Kryeministër: kjo nuk është e qëndrueshme dhe vetëm do të përkeqësohet: për ju, për Partinë Konservatore dhe më e rëndësishmja për të gjithë vendin. Ju duhet të bëni gjënë e duhur dhe të largoheni”.'
Sekretarja e Arsimit, Michelle Donelan, e cila u emërua në post në të njëjtën kohë me Zahawi, deklaroi gjithashtu se do të largohej, vetëm dy orë pasi edhe sekretari i Irlandës së Veriut Brandon Lewis nxori “shpatën” e tij.
Megjithatë, nuk është e qartë secili do të jetë qëndrimi i zotit Johnson – dhe a do të jetë ai i pranueshëm për deputetët konservatorë. Më shumë se 50 anëtarë të qeverisë kanë dhënë dorëheqjen
Kritikët e zotit Johnson janë shtuar brenda konservatorëve. Ish-ministri i kabinetit Julian Smith tha se kryeministri kishte parë sesi Donald Trump sillej në lidhje me trazirat e Kapitolit pas zgjedhjeve në SHBA dhe po kërkonte të kishte një 'mini version në Mbretërinë e Bashkuar. /Liberale.al/