Editorial

Depozitat e ujit në tarracë si simbolikë e institucioneve shqiptare!

Shkruar nga Liberale
Depozitat e ujit në tarracë si simbolikë e institucioneve

Gentian Kaprata – Urbanism & Democracy

Dy ishin iniciativat e administratës së bashkisë Tiranë, pas tërmetit të 26 Nëntorit të vitit të kaluar, dhe të dyja për tu përshëndetur e mbështetur. Iniciativa e parë kishte të bënte me bllokimin e proceseve të leje dhënies ndërtimore në territorin në juridiksionin e saj, përfshirë edhe ato kërkesa për leje që ishin në shqyrtim. Gjë shumë e mirë kjo në respekt të situatës urbane që po kalon qyteti në shumë dimensione demografike, mjedisore dhe estetike, por veçanërisht për domosdoshmërinë që kanë për t’u rishkruar legjislacioni dhe normativat e ndërtimit, që kanë lidhje me vlerësimin e truallit të ndërtimit dhe qëndrueshmërinë mekanike të ndërtesave.

Iniciativa e dytë, ajo për të cilën jemi të interesuar, ka lidhje me heqjen e depozitave të ujit nga tarracat e pallateve. Edhe kjo, një nisëm shumë pozitive nëse e vëzhgojmë vetëm nga prizmi i ndikimit të peshës së tyre në aftësinë mbajtëse të një ndërtese.

Një godinë mund të shfaqet shumë më vulnerabël ndaj goditjeve nga tërmeti nëse në shpinë ka ngarkesa shtesë, të cilat nuk janë llogaritur në projekt. Qëndrueshmëria, apo firmitas sikurse e quante Vitruvius, arkitekti dhe teoricieni i parë i njohur i arkitekturës, është parimi më i rëndësishëm i ndërtimit. Prandaj ai, dhe shumë të tjerë pas tij, e vendosnin të parën në vargun: firmitas, utilitas dhe venustas.

E thënë thjeshtë, një komb që vendos njeriun të parin, të parën gjë që bën pasi ka pësuar dëme të tilla në njerëz, është kthimi i ndërtesave në gjendje fizike sa më të afërt me atë të projektuar. Në këtë mënyrë, ka të drejtën të konsiderohet si një komb normal, që në një masë të minimale, i ka shërbyer evolucioni i shkencës dhe teknikës në këto dy mijë vitet e fundit. Sepse, për të përdorur një koncept tjetër vitruvian, në fund të fundit, arkitektura është matematikë e aplikuar.

Mirëpo, ka dy prizma të tjera nga ku mund ta shohim këtë nismë të administratës së bashkisë, njëra nga të cilat është se po hoqën depozitat nga tarracat, banorët e qytetit mbeten pa ujë. Nuk e di sesi funksiononte puna e furnizimit me ujë në kohën e Vitruvius, kishte me orar apo kishte gjithë ditën, por sot në Tiranë, nëse heq depozitat mbetesh pa ujë. Të paktën për banorët, e 4 mijë pallateve të ndërtuara në kohën e lavdishme të Xhaxhit që e kujtojmë me nostalgji, është kështu!

Parë nga një prizëm i tretë, është fakti se ku do ta gjej të drejtën morale administrata e bashkisë të vendosi për heqjen e depozitave private nga tarracat në bashkëpronësi private!? Kjo është çështja themelore. Le të themi se ligjërisht e ka vet në dorë. Bën vet një draft ligj, e kthen në ligj në Kuvendin e Kapitenit, ja çon ligjin në dorë Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, që sikurse policia e militarizuar është pjesë e Ministrisë së Brendshme, dhe ja ku u zgjidh. Porse mbetet legjitimiteti moral, sepse këtë projekt bashkia Tiranë e nisi edhe para katër vjetësh, të shoqëruar nga premtimi se qytetarët do kenë ujë në çezma nga rrjeti 24 orë në ditë, por nuk e bitisi dot.

Megjithëse ka argument më të fortë, sepse nuk mund të gjendet një argument më i fortë se tërmeti, administrata lokale e Tiranës edhe kësaj here nuk do ta bitisi këtë iniciativë. Jo sepse nuk e sajon dot legjitimitetin ligjor, as sepse shqetësohet për legjitimitetin moral të veprimeve të saj. Por, sepse depozitat në tarracat e pallateve janë simbolika e tranzicionit tonë të tejzgjatur që nuk u kthye dot kurrë në demokraci, dhe bashkia Tiranë nuk mund të mohojë thelbin e vetvetes!

Në fakt, tranzicioni ynë i tejzgjatur, janë institucionet tona shtetërore të pabitisura. Institucionet tona jo vetëm planet e projektet i lënë rrugëve, por nuk arrijnë dot as të bitisin vetveten. Të paktën, jo në formatin e vendeve demokratike, qoftë edhe të demokracive hibride. Kurse depozitat e ujit në tarracat e pallateve janë simbolika e shterpësisë  së këtyre institucioneve, e cila vërtetohet edhe nga kjo çështje. Nëse paratë që shqiptarët kanë shpenzuar për të vendosur këto depozita që po kërkohet të hiqen, do të ishin shpenzuar për të ndërtuar rrjetin e shpërndarjes së ujit, sot në çezma do kishte ujë 24 orë në ditë nga rrjeti dhe nuk do kishim nevojë për depozita.

Shpejt edhe leje dhënia ndërtimore do të rikthehet, sepse institucionet që kanë për brendi tranzicionin, nuk mund të projektojnë asgjë të ndryshme veç modelit të ndërtimi i pallateve. Nuk dijnë të bëjnë gjë tjetër, disa të firmosin leje dhe të shpenzojnë taksat, kurse të tjerët të ndërtojnë dhe të paguajnë nga paratë që ju marrin shqiptarëve që migrojnë në Tiranë, të mashtruar nga propaganda ‘sa e bukur është jeta në Tiranë’ e atyre që japin leje e shpenzojnë paratë e taksave!

gentiankaprata.blogspot.com

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH