Një ngjarje e rëndë është shënuar paraditen e sotme në Shkup. Sipas mediave vendase, një biznesmen është qëlluar me armë në parkingun e një qendre tregtare dhe si pasojë e plagëve të marra, ai ka gjetur vdekjen në vend.
Viktima është identifikuar si Vasil Eftimov, menaxher i firmës Mitel Mont, për shitje me shumicë të materialeve për ujësjellës e kanalizime dhe përfaqësues i autorizuar i Hawle nw Shkup.
Ai ka qenë me makinën e tij të firmës, me targa 7977 AK, kur një person i është afruar dhe i ka drejtuar pistoletën, duke e lënë fillimisht të plagosur, me plagë që brenda minutave i ka marrë edhe jetën.
Vrasësi, sipas dëshmitarëve okularë ka hapur me të shpejt bagazhin e makinës së viktimës duke marrë prej aty një laptop, dhe është larguar me të shpejtë me një makinë citroen me targa belge.
Bashkëshortja e viktimës mbërrin gjithashtu brenda minutave në vendngjarje, paraqet rastin, por ndihma e shpejtë vetëm se konstatoi vdekjen.
Policia vendosi bllokada dhe kontroll të rrugëve në ndjekje të automjetit të vrasësve, përfshi edhe një audi të zi, paraprakisht i paraqitur pa targa, dhe ndërkohë, një helikopter dhe dron nisi krehjen nga sipër të rrugës dhe ndjekjen e automjeteve, të cilat nuk kursyen as shkëmbimin e zjarrit, me plumba, kundrejt automjetit të forcave speciale të policisë që ishin vënë në ndjekje.
Në vendin ku ndodhi shkëmbimi i zjarrit në tokë ishte edhe pistoleta me të cilën pretendohet se vrasësit kanë kryer veprën penale.
Njëra prej makinave e markës Citroen, u bllokua në lagje, ndërsa Audi u braktis në parkun e Gazi Babës.
Dy persona u vunë në pranga, sipas njoftimit zyrtar të policisë, dhe sipas informatave një person tjetër është ende në arrati.
“Policia ka marrë menjëherë masat operativo-taktike, duke mbyllur një pjesë të zonës së qytetit, duke kontrolluar disa banesa dhe kontrolluar disa automjete, ku përfshiheshin forca speciale të policisë, helikopterë dhe dronë.
Në zonën e komunës së Çairit, është vërejtur një veturë e udhëtarëve, e cila ka tentuar të largohet, ndërsa personat nga automjeti kanë bërë rezistencë me përdorimin e armëve të zjarrit. Punonjësit e policisë janë kundërpërgjigjur, pas së cilës një person është privuar nga liria.
Gjatë masave të mëtejshme është privuar nga liria edhe një person, ndërsa policia e di edhe identitetin e të dyshuarit të tretë i cili ndodhet në arrati dhe për të cilin po merren masa për gjetjen e tij”, thuhet në raportin e Policisë.
Për vrasjen e Vasil Eftimov, ende nuk dihen motivet dhe rëndësia e materialeve që vrasësit kanë marrë nga makina e tij, megjithatë nga burime të Alsat, mësohet se vrasësit janë persona me precedentë penale, edhe për një përplasje me armë në të kaluarën në lagjen e Jahja Pashës.