Kjo është anija stërvitore Jadran që vijon të mbetet mollë sherri mes Kroacisë dhe Malit të Zi
Zagrebi i nisi Podgoricës një notë zyrtare proteste për shkak të distinktivëve me imazhin e kësaj anije.
Ministria e Jashtme në Zagreb kërkon që Mali i Zi t’ia kthejë anijen stërvitore Jadran sepse e konsideron simbolikisht të rëndësishme për kroatët. Bazuar në një analizë të detajuar të trashëgimisë së përgjithshme ushtarake, ata pretendojnë se Mali i Zi i detyrohet Kroacisë më shumë se dy miliardë dollarë amerikanë.
Ministria e Mbrojtjes së Malit të Zi ka prodhuar sipas tyre padrejtësisht distinktiva me imazhin e anijes stërvitore Jadran. Në notën e protestës thuhet se kjo nuk është në frymën e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe kritereve e vlerave të Bashkimit Evropian që Kroacia është e detyruar t’i respektojë.
Anija stërvitore Jadran, thuhet më tej në notën e protestës, përfaqëson një pjesë të pronës ushtarake që i përket shtetit kroat. Anija e bardhë me vela, 60 metra e gjatë, është ndërtuar në vitin 1933 dhe ka qenë e regjistruar në listat e flotës së porteve kroate deri në vitin 1991.
Ajo lundroi drejt Malit të Zi për riparim në vitin 1991, më pas u regjistrua në portin vendas të Splitit, por malazezët nuk e kanë kthyer atë deri më sot, gjë që mbetet një mosmarrëveshje dypalëshe midis Zagrebit dhe Podgoricës. Kohët e fundit, ushtria e Malit të Zi ka krijuar një seri të re medaljesh dalluese, të dizenjuara posaçërisht për ekuipazhin e anijes stërvitore Jadran.
Mosmarrëveshja mbetet temë e bisedimeve dypalëshe dhe pengesë për vijimin e negociatave të BE-së me Malin e Zi.