Palestinezët nga kampi i refugjatë Jabalia në veri të Rripit të Gazës u rreshtuan në një cisternë uji duke mbajtur enë plastike në dorë, por për shumë prej tyre pritja do të jetë e kotë.
Cisterna e ujit ka kapacitet të kufizuar dhe nuk mund të sigurojë ujë për qindra palestinezët që kalojnë orë të gjatë duke pritur çdo ditë. Rripi i Gazës vuan nga një krizë e rëndë e ujit për shkak të infrastrukturës së shkatërruar në luftën e vazhdueshme.
Situata është veçanërisht e rëndë në pjesën veriore të enklavës. Pas sulmit të 7 tetorit nga grupi palestinez Hamas, Izraeli ka ndërprerë furnizimin me ujë, ushqim, ilaçe, energji elektrike dhe karburant për 2.3 milionë palestinezët në Gaza.
Sipas Autoritetit Palestinez të Ujit, objektet e shkripëzimit dhe rrjetet e ujërave të zeza në Gaza janë ndërprerë për shkak të mungesës së karburantit dhe energjisë elektrike që nga mesi i muajit tetor të vitit të kaluar.
Kombet e Bashkuara (OKB) kanë paralajmëruar vazhdimisht për përhapjen e sëmundjeve për shkak të krizës së ujit, shoqëruar me mungesën e furnizimeve higjienike.
Christian Lindmeier, një zëdhënës i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), për Anadolu tha se “njerëzit në Gaza po jetojnë në një katastrofë, të ekspozuar ndaj vdekjes nga uria, kequshqyerja, etja ose nga plumbat dhe lëndimet mbi kokat e tyre”.
Në një zonë tjetër të kampit, palestinezët grumbullohen rreth një prej burimeve të ujit të shkatërruara nga ushtria izraelite, duke u përpjekur të mbushin direkt nga atje.
Karam Abu Nada, një palestinez rreth të 30-tave që pret radhë për të mbushur ujë nga burimi i shkatërruar, thotë se banorët e kampit “mblidhen për të marrë ujë pavarësisht nga kontaminimi i tij”.
Ai për Anadolu tha se zakonisht përdorin ujin e ndotur për larje, pastrim dhe gatim, duke theksuar se ndonjëherë ata presin deri në 10 ditë për të siguruar këtë ujë.
Banorët e Gazës janë të detyruar të racionojnë konsumin e ujit pasi ai është i disponueshëm vetëm disa ditë. Ato minimizojnë sasinë e përdorur për larje të teshave, larje të enëve dhe pastrim.
Abu Nada thotë se ata janë të prekur nga uji i ndotur, veçanërisht fëmijët, duke shkaktuar sëmundje të zorrëve dhe lëkurës mes mungesës së ilaçeve për trajtimin e tyre.