Sot mbushet plot një vit nga vrasja tragjike e Liridona Ademajt, ngjarje e cila ende nuk është zbardhur plotësisht.
Aktakuzë për rastin nuk është ngritur ende, teksa Prokuroria ka thënë se hetimet po vazhdojnë, duke mos pranuar të ndajnë informacione të tjera. Tre të dyshuarit, përfshirë edhe bashkëshortin e të ndjerës, vazhdojnë të mbahen në paraburgim.
Mbrëmjen e 29 nëntorit të vitit 2023, në fshatin Bërrnicë të Prishtinës, u vra Liridona Ademaj. Përvjetori i parë i vrasjes shënohet pa aktakuzë për këtë rast. Hetimet nuk kanë përfunduar akoma. Nga Prokuroria Themelore e Prishtinës kanë thënë se hetimet janë në vazhdim e sipër, pa pranuar të ndajnë informacione tjera.
“Lidhur me rastin për të cilin keni kërkuar informata, ju njoftojmë se çështja penale të cilës i referoheni është akoma në fazën e hetimeve nga ana e prokurorit të çështjes dhe pasi që hetimet lidhur me këtë çështje janë në vazhdim e sipër, nuk është e mundur të ofrohen më shumë informata lidhur me këtë rast”– thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.