Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se ka biseduar me të dërguarin e ri të Bashkimit Evropian për dialogun, Peter Sorensen, në lidhje me pritshmëritë nga dialogu mes Kosovës dhe Serbisë.
Në takimin e saj të parë me Sorensenin, të zhvilluar në hapjen e Konferencës së Sigurisë në Munih, Osmani tha se bisedoi me të edhe për zhvillimet e fundit në vend.
“Do të vazhdojmë të punojmë me aleatët tanë që ky proces të përmbyllet me njohje të ndërsjellë dhe mbrojtjen e sovranitetit, kushtetutshmërisë dhe integritetit territorial të Republikës sonë”, shkroi Osmani në X.
Sakaq, takimin tjetër, Vjosa Osmani e ka pasur me sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, me të cilin ka diskutuar mbi zhvillimet e fundit dhe rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në këtë organizatë.
Osmani ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të përbënte një fitore jo vetëm për të drejtat e njeriut në Kosovë, por edhe për vetë Evropën dhe vlerat e saj themelore.