
Një takim mes SHBA dhe Ukrainës do të zhvillohet në të ardhmen e afërt, tha ndihmësi kryesor i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy. Andriy Yermak, i cili drejton zyrën e presidentit, tha se sapo kishte zhvilluar një bisedë telefonike me këshilltarin e sigurisë kombëtare të SHBA, Mike Waltz.
“Ne diskutuam hapat e ardhshëm drejt një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme,” tha Yermak në një deklaratë.
“Ne gjithashtu shkëmbyem mendime për çështjet e sigurisë dhe përafrimin e pozicioneve në kuadrin e marrëdhënieve dypalëshe midis Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara. Ne kemi planifikuar një takim për ekipet tona në të ardhmen e afërt për të vazhduar këtë punë të rëndësishme.”, tha më tej ai.
Marrëdhënia mes Donald Trump dhe Volodymyr Zelenskyy është përkeqësuar pas një takimi të shoqëruar me debate, përplasje dhe tensione në Shtëpinë e Bardhë, ku presidenti dhe zëvendëspresidenti amerikan e kritikuan Zelensky për mosvlerësimin e mjaftueshëm të mbështetjes amerikane për Ukrainën. Gjithashtu ata iu drejtuan duke i thënë se “po luante bixhoz me luftën e tretë botërore” .
Tonet u ashpërsuan në takim dhe për pasojë Zelensky u largua nga Shtëpia e Bardhë pa firmosur marrëveshjen për mineralet e rralla për të cilën kishte shkuar atje. Presidenti Trump tha pas takimit se ai mund të kthehet “kur të jetë gati për paqe”.