Bota

"I gatshëm për t'i dhënë fund LUFTËS"/ Lukashenko fton Trump, Putin dhe Zelenskyn në Minsk për bisedime: Ejani këtu!

Shkruar nga Liberale

"I gatshëm për t'i dhënë fund LUFTËS"/

Minsku është i gatshëm të presë bisedimet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Alexandër Lukashenko ftoi Putin, Zelenskyn dhe Trump të takohen në vendin e tij për të negociuar.

“Nëse doni, ejani këtu”, tha presidenti bjellorus në një intervistë.

“Distanca nga kufiri i Bjellorusisë në Kiev është vetëm 200 kilometra. Gjysmë ore me aeroplan, jeni të mirepritur. Do të ulemi dhe do të arrijmë një marrëveshje të qetë, pa zhurmë, pa bërtitje. Unë po e pres Trump këtu së bashku me Vladimir Putin dhe Volodymyr Zelensky. Do të ulemi dhe do të negociojmë me qetësi. Nëse ai dëshiron të bëjë një marrëveshje”.

Pavarësisht vullnetit të tij për të vepruar si mikpritës për bisedimet, ai e bëri të qartë se nuk është i interesuar për rolin e ndërmjetësit midis kombeve të tjera.

“E urrej ndërmjetësimin”.

“Do të thotë të futesh mes dy palëve dhe të pretendosh të ofrosh diçka”, tha ai në mënyrë karakteristike.

Udhëheqësi bjellorus vlerësoi presidentin amerikan për qasjen e tij ndaj çështjes së luftës në Ukrainë.

“Fakti që çështja e përfundimit të luftës tani trajtohet si urgjente është vetëm për shkak të kësaj administrate (Trump)… Është në dobinë tonë që ai i tregoi Zelenskyt pozicionin e tij”.

“Ai duhet ta dijë këtë,” vuri në dukje Lukashenko, i cili pas sulmit të Rusisë në Ukrainë (i nisur nga territori bjellorus) i është afruar më shumë se kurrë Putinit.

Presidenti rus ka vendosur edhe armë bërthamore taktike në vendin e tij aleat.

Udhëheqësi bjellorus shprehu besimin e tij se Trump nuk ka qëllim tjetër përveç përfundimit të luftërave, duke e përshkruar politikën e tij të jashtme si “të shkëlqyer”.

“Jam gati t’i qëndroj pranë dhe të bëj gjithçka që duhet për t’i dhënë fund luftës dhe për të përmirësuar jetën e njerëzve”, tha politikani, i cili janarin e kaluar siguroi qëndrimin e tij në pushtet për të 31-in vit radhazi pas zgjedhjeve që që qeveritë perëndimore i cilësuan si “parodi”.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH