Globi

Vizita në Mongoli, Putini sfidon urdhër arrestin ndërkombëtar

Shkruar nga Liberale

Vizita në Mongoli, Putini sfidon urdhër arrestin

Presidenti rus Vladimir Putin po viziton Mongolinë, e cila i ka refuzuar thirrjet për ta arrestuar atë pavarësisht se është anëtare e Gjykatës Ndërkombëtare Penale. Kjo gjykatë, para 18 muajsh, lëshoi një urdhër arresti ndërkombëtar për Presidentin Putin me dyshimin e kryerjes së krimeve të luftës në Ukrainë. Para vizitës, Ukraina dhe Bashkimi Evropian i bënë thirrje Mongolisë t'ia dorëzojë Gjykatës me seli në Hagë udhëheqësin rus. Mongolia kaloi në demokraci në vitet 1990 duke vendosur marrëdhënie edhe me Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, ajo mbetet e varur ekonomikisht nga dy fqinjët e saj shumë më të mëdhenj dhe më të fuqishëm, Rusia dhe Kina.

Vizita në Mongoli, Putini sfidon urdhër arrestin

Mongolia organizoi pritje shtetërore për Presidentin Vladimir Putin duke refuzuar thirrjet ndërkombëtare dhe të opozitarëve rusë për të zbatuar urdhër arrestin ndërkombëtar për udhëheqësin rus.

Kjo është vizita e parë e Presidentit Putin në një vend anëtar të Gjykatës Ndërkombëtare Penale e cila para 18 muajsh lëshoi një urdhër arresti ndërkombëtar duke e akuzuar udhëheqësin rus për krime lufte në Ukrainë.

Vizita në Mongoli, Putini sfidon urdhër arrestin

Para takimit me homologun mongol, Presidenti Putin parakaloi në sheshin kryesor në kryeqytetin Ulanbator në mes të rojeve të nderit të veshur me uniforma të ngjashme me ato të gardës personale të sundimtarit të shekullit të 13-të Genghis Khan, themeluesit të Perandorisë Mongole.

"Marrëdhëniet me Mongolinë janë ndër prioritetet e politikës sonë të jashtme në Azi. Ato janë ngritur në një nivel të lartë partneriteti strategjik gjithëpërfshirës", tha Presidenti rus gjatë takimit me homologun mongol, Ukhnaa Khurelsukh.

Vizita në Mongoli, Putini sfidon urdhër arrestin

Vizita e tij e vendos Mongolinë në një pozitë të vështirë. Vendet anëtare të gjykatës ndërkombëtare janë të detyruar të arrestojnë të dyshuarit, nëse është lëshuar një urdhër arresti, por Mongolia është shumë e varur nga Rusia për karburant dhe një pjesë të energjisë elektrike të saj. Ndërkaq, Gjykatës Ndërkombëtare Penale i mungon një mekanizëm për të zbatuar urdhërat e saj.

Vizita në Mongoli, Putini sfidon urdhër arrestin

"Vizita juaj do t'i japë një shtysë zhvillimit të marrëdhënieve tona tregtare dhe ekonomike, kryesisht në sektorë të tillë si karburanti dhe energjia, logjistika e transportit rrugor dhe të tjera”, tha Presidenti mongol Khurelsukh gjatë takimit me delegacionin rus.

Vizita në Mongoli, Putini sfidon urdhër arrestin

Pas dekadash nën komunizëm me lidhje të ngushta me Bashkimin Sovjetik, Mongolia kaloi në demokraci në vitet 1990. Ajo tani ka marrëdhënie me Shtetet e Bashkuara, Japoninë dhe partnerë të tjerë të rinj. Megjithatë, ajo mbetet e varur ekonomikisht nga dy fqinjët e saj shumë më të mëdhenj dhe më të fuqishëm, Rusia dhe Kina.

Vizita në Mongoli, Putini sfidon urdhër arrestin

Gjatë vizitës u zhvillua një protestë e vogël në kryeqytetin mongol. Disa demonstrues mbanin një tabelë ku ishte shkruar: "largoni kriminelin e luftës Putin nga këtu".

Sidoqoftë, disa të tjerë nuk pajtohen që vendi i tyre të zbatojë urdhërin e arrestit ndaj Presidentit rus.

"Është e vërtetë që ne jemi vend anëtar i Gjykatës Ndërkombëtare Penale, por kjo nuk do të thotë se duhet të ndjekim çdo urdhër. Kina dhe Rusia janë vende fqinje shumë të rëndësishme për ne”, thotë Altanbayar Altankhuyag, banor i kryeqyteit mongol.

"Ne mongolët nuk e mbështesim arrestimin e Putinit sepse kjo do të ishte një sjellje e keqe", thotë Tsevegdorj Luvsandorj, një veteran 79 vjeçar i ushtrisë mongole.

Vizita në Mongoli, Putini sfidon urdhër arrestin

Presidenti Putin ka bërë një sërë udhëtimesh jashtë shtetit në muajt e fundit në përpjekje për të kundërshtuar izolimin ndërkombëtar me të cilin përballet si rezultat i agresionit të Moskës në Ukrainë. Ai vizitoi Kinën në muajin maj, bëri një udhëtim në Korenë e Veriut dhe Vietnam në qershor dhe shkoi në Kazhakstan në korrik për një takim të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait.

Vizita në Mongoli, Putini sfidon urdhër arrestin

Kenneth Roth, ish-drejtori i organizatës 'Human Rights Watch', e cilësoi udhëtimin e Presidentit Putin në Mongoli si "një shenjë dobësie". Zoti Roth shkroi në rrjetin social X se udhëheqësi rus tani ka mundësinë të realizojë vizita vetëm 'në një vend me një popullsi të vogël prej 3.4 milionë banorësh që funksionon nën hijen e Rusisë'. /VOA/

Vizita në Mongoli, Putini sfidon urdhër arrestin

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH