Globi

Pezullimi i tarifave nga Trump rikthen optimizmin në tregjet globale

Shkruar nga Liberale
Pezullimi i tarifave nga Trump rikthen optimizmin në tregjet globale

Tregjet financiare globale kanë përjetuar një rritje të ndjeshme këtë të enjte, pas vendimit të presidentit amerikan Donald Trump për të pezulluar për 90 ditë tarifat tregtare për të gjitha vendet, përveç Kinës. Ky zhvillim ka rikthyer besimin te investitorët dhe ka sjellë gjallërim në bursat ndërkombëtare, të cilat kishin përjetuar humbje të theksuara ditët e fundit.

Në Europë, bursat u rritën me më shumë se 7%, ndërsa tregjet aziatike regjistruan gjithashtu një rritje të lehtë, përfshirë dhe ato në Kinë, pavarësisht se vendimi i Trump përjashtoi Pekinin nga pezullimi i tarifave. Investitorët në Wall Street po përpiqen të deshifrojnë strategjinë e presidentit amerikan dhe të qetësojnë klientët e tyre pas një periudhe të trazuar ku triliona dollarë u fshinë nga tregjet e aksioneve.

Ndërkohë, çmimet e naftës vijuan rënien për të disatën ditë radhazi. Kontratat futures të naftës së papërpunuar Brent ranë me 2.1%, duke u ulur në 63.3 dollarë për fuçi. Analistët thonë se rënia është e lidhur me shqetësimet për një recesion global të mundshëm, i cili mund të reduktojë kërkesën për karburante në nivel botëror.

Paralelisht, edhe dollari amerikan është dobësuar përballë monedhave të tjera kryesore. Rënia e yield-eve të bonove të thesarit në SHBA ka ndikuar në zhvlerësimin e monedhës së gjelbër. Në të kundërt, euro u mbivlerësua me 0.7% kundrejt dollarit, ndërsa paundi britanik ndoqi të njëjtin trend pozitiv.

Një lehtësim është vërejtur edhe në tregun e kriptovalutave, ku monedhat kryesore si Bitcoin kanë parë një rikthim të fuqishëm. Bitcoin arriti të kalojë pragun e 81 mijë dollarëve, duke regjistruar një rritje me më shumë se 5% brenda 24 orëve të fundit.

Vendimi i fundit i Trump ka shtuar shpresat për një stabilizim të situatës ekonomike globale, ndonëse investitorët mbeten ende të kujdesshëm për ecurinë e mëtejshme të politikave tregtare dhe ndikimin e tyre në tregjet financiare

Liberale Newsroom

Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH