Donald Trump i shpëtoi një atentati me armë zjarri, ku mbeti i plagosur në veshin e djathtë, pasi u qëllu nga 20 vjeçari Thomas Matthew Crooks, gjatë një mitingu në Pensilvani.
Por Trump nuk është i vetmi ish-president apo president që i bëhet atentat, pasi kanë qenë një serë presidentësh, të cilët janë vrarë në takime, apo fushata elektorale në historinë e demokracisë.
Përpjekja e parë, por e pasuksesshme, për të vrarë një president amerikan u zhvillua më 30 janar 1835. Në Kapitol, Richard Lawrence ngriti dy pistoleta drejt presidentit të atëhershëm, Andrew Jackson dhe tërhoqi këmbëzat. Jackson ishte me fat pasi të dy pistoletat u bllokuan.
Megjithatë, Presidenti Abraham Lincoln nuk ishte aq me fat , i cili më 14 prill 1865 u "detyrua" të merrte pjesë në një ngjarje në Teatrin Ford në Uashington, sepse të gjithë anëtarët e tjerë të qeverisë e kishin anuluar.
Konspiratori John Booth hyri në galerinë ku ishte ulur Lincoln dhe e qëlloi duke bërtitur "Sic Semper Tyrannis" (pasi i konsideronte idetë e Lincoln për barazinë bardh e zi si tradhti), goditi me thikë Henry Rathborn dhe u arratis. Ai u arrestua më vonë.
Më 2 korrik 1881, Presidenti James Garfield u qëllua nga Charles Guiteau në një stacion treni në Uashington. Në rastin e Garfield, doli se presidenti mund të kishte mbijetuar, por një sërë gabimesh mjekësore çuan në vdekjen e tij shtatorin e ardhshëm.
Më 6 Shtator 1901, kur Presidenti William McKinley u qëllua nga Leon Czolgos në Ekspozitën Pan-Amerikane në Buffalo. McKinley do të vdiste një javë më vonë dhe vrasja e tij do të çonte në vendimin që Shërbimi Sekret i sapoformuar amerikan do të merrte tani e tutje sigurinë e presidentëve të vendit.
Njëmbëdhjetë vjet më vonë, më 14 Tetor, ndodh një incident që të kujton shumë sulmin e djeshëm ndaj Trump. Ish-presidenti Theodore Roosevelt ishte në një event fushate në Milwaukee, duke kërkuar rizgjedhjen. John Shrank e qëllon atë. Plumbi depërton në 50 faqet e fjalimit të Roosevelt-it dhe në kutinë e syzeve që kishte në xhep, ngadalëson shpejtësinë dhe qëndron në gjoks. Pavarësisht kësaj, Roosevelt refuzon të tërhiqet nga podiumi. Ai lexon pjesën më të madhe të fjalimit të tij dhe më pas shkon në një spital. Schrank donte ta vriste sepse, siç tha ai, një gjë të tillë i ishte kërkuar nga (i vrarë në vitin 1901) Presidenti McKinley, i cili e kishte vizituar në... ëndrrën e tij.
Më 15 shkurt 1933, Giuseppe Zangara tentoi të vriste kandidatin presidencial, Franklin Delano Roosevelt në Miami. Megjithatë, ai dështoi dhe, ndërsa agjentët e frenojnë, ai qëllon përsëri, duke goditur dhe vrarë kryebashkiakun e Çikagos, Anton Shermak.
Senatori dhe kandidati presidencial Huey Long vdes më 8 Shtator 1935, brenda Kapitolit të Shtetit të Luizianës. Rasti mbetet mister edhe sot e kësaj dite, pasi nuk është vërtetuar nëse Long u vra nga Carl Weiss që e qëlloi, apo aksidentalisht nga zjarri i truprojave të tij që po përpiqeshin të neutralizonin sulmuesin.
Më 1 Nëntor 1950, nacionalistët portorikanë tentojnë të vrasin Presidentin Harry Truman, i cili po qëndronte përkohësisht në Shtëpinë e Blair në Uashington DC, ndërsa Shtëpia e Bardhë ishte duke u rinovuar. Edhe pse i plagosur për vdekje, oficeri i policisë së Shtëpisë së Bardhë, Leslie Cofelt, arrin të vrasë atentatorin e mundshëm Grigelio Torresola, pak para se të hyjë në kompleksin e Truman. Vrasësi tjetër i mundshëm, Oscar Colazzo, vritet gjithashtu para se të hyjë në Blair House.
Vrasja e presidentit karizmatik amerikan, John Fitzgerald Kennedy, në vitin 1963, është një nga rastet më të diskutuara në historinë njerëzore. Teoritë konspirative se kush e donte të vdekur Kenedin dhe pse, si dhe kush e tërhoqi këmbëzën, vazhdojnë të ngjallin interesin e publikut edhe sot e kësaj dite, të mbushura me detaje nga jeta e vejushës së tij, Jackie dhe vdekja e zonjës së tij të superyllit Marilyn. Monroe.
Ajo që pak kujtohet është se më 11 Dhjetor 1960 u planifikua atentati i parë ndaj Kenedit.
Richard Paul Pavlik kishte ngarkuar makinën e tij me dinamit. Plani i tij ishte që Pavlik të përplaste makinën e tij në atë të JFK-së dhe më pas ta hidhte në erë, por Pavlik ndryshoi mendje kur pa Jackie-n dhe fëmijët e tyre në makinën e Kenedit. Kështu ai e riplanifikoi atentatin, por u arrestua para se të mund ta kryente atë.
Në njëfarë mënyre, më 12 nëntor 1963, Kennedy u qëllua për vdekje nga një snajper, ndërsa ai përshëndeti turmën, nga makina e tij e hapur në Dallas. Dy ditë më vonë, i arrestuari dhe i dyshuari i vetëm për atentatin e Kenedit, Lee Harvey Oswald, vritet nga pronari i klubit të natës, Jack Ruby ndërsa po transferohej nga policia. Oswald nuk arriti të përgjigjet në detaje për vrasjen e Kenedit dhe pyetjet vazhdojnë edhe sot e kësaj dite.
Pesë vite më vonë, vëllai i JFK-së, senatori dhe kandidati presidencial Robert Kennedy, u qëllua për vdekje nga Sirhan Sirhan në kuzhinën e hotelit Ambassador në Los Anxhelos. Ka shumë pikëpyetje edhe për vrasjen e Robert Kenedit, me teori konspirative.
Më 5 shtator 1975, tentativa e parë për të vrarë një president amerikan bëhet nga një grua. Lynette Fromm, një mbështetëse e vrasësit serial Charles Manson, përpiqet të qëllojë Gerald Ford në Sacramento. Fromm dështon ndërsa arma e saj bllokohet, kështu që më 22 shtator, Sarah Jane Moore përpiqet të bëjë të njëjtën gjë. Ajo arrin të qëllojë në Ford, në San Francisko, por humbet dhe arrestohet.
Më 30 Mars 1981, Presidenti amerikan Ronald Reagan po largohej nga hoteli Hilton në Uashington, D.C., pas një fjalimi. Aty, John Hinckley Jr, i cili i kishte bërë pritë, filloi ta qëllonte me pistoletën 22 mm që kishte në duar. Asnjë nuk e goditi presidentin, por ndërsa agjentët e Shërbimit Sekret e mblodhën dhe e fiksuan, ai arriti të gjuajë një plumb tjetër, i cili goditi limuzinën e blinduar të presidentit, u hodh me rikoshet dhe e goditi Reganin nën sqetullën e majtë.
E tmerrshmja e këtij rasti është se askush nuk e kishte vënë re që Regani ishte plagosur dhe të gjithë ishin të shqetësuar për autorin, derisa panë gjak në këmishën e presidentit. Reagan u plagos rëndë dhe u desh të operohej dhe shtrohej në spital për 12 ditë.
Reagan ishte presidenti i fundit i SHBA që ishte objektivi i një atentati të drejtpërdrejtë në tokën amerikane. Ka pasur incidente të tjera që synojnë presidentët, si p.sh. komploti i vitit 1993 me bombë me makinë për të vrarë George W. Bush në Kuvajt nga agjentët e Sadam Huseinit, të shtënat jashtë Shtëpisë së Bardhë nga Oscar Ramiro Hernandez në 2011 dhe dërgimi i dosjeve eksplozive mbi Obamën, Hillary Clinton dhe Joe Biden nga Cesar Sayok në 2018, por në fakt jeta e tyre nuk u kërcënua.
Dhe kështu, pas tentativës kundër Trump, në SHBA nuk mund të mos pyesin se cili do të jetë objektivi i radhës.../ Përgatiti Liberale.al