Përshtati dhe përgatiti për Liberale.al, Laert MIRAKU
Është gjyqi i parë penal i një presidenti amerikan, Donald Trump akuzohet për 34 krime. Mes akuzave për falsifikimin e dokumenteve për të mbuluar një skandal seksual. Rezultati mund të ndryshojë peizazhin politik përpara zgjedhjeve.
Donald Trump ndodhet në gjykatën e Manhattanit për gjyqin historik, të parë penal të një presidenti amerikan që fillon sot (15.4.2024).
Pak më herët, në orën 08:41. (ora lokale) ish-presidenti amerikan doli nga Trump Tower, ku e prisnin mediat, fansat dhe kureshtarët. "Trump ne të duam," mund të dëgjohej, së bashku me brohoritjet, nga grupet e mbledhura në rrugë. Donald Trump përshëndeti mbështetësit e tij, hipi në një furgon të zi dhe autokolona u nis për në gjykatën penale.
Procesi fillon me përzgjedhjen e jurisë. Donald Trump akuzohet për 34 krime, duke përfshirë falsifikimin e të dhënave të biznesit për të mbuluar një skandal seksual me ish-yllin porno Stormy Daniels para zgjedhjeve të 2016-ës, në të cilat ai doli fitues.
Shumë besojnë se rasti mund të riformësojë peizazhin politik përpara zgjedhjeve të nëntorit.
Gjyqi mund të zgjasë deri në qershor
Procesi i përzgjedhjes së jurisë mund të zgjasë dy javë ose më shumë. Gjyqi pritet të zgjasë deri në qershor, ndërsa Donald Trump pritet të jetë në sallën e gjyqit në pjesën më të madhe të tij.
Në vitin 2016, ish-avokati personal i Donald Trump, Michael Cohen i pagoi yllit porno Stormy Daniels 130,000 dollarë për të blerë heshtjen e saj për marrëdhëniet seksuale që kishte me ish-presidentin një dekadë më parë.
Megjithatë, vetë Trump, i cili nuk përjashtohet të dëshmojë si dëshmitar në mbrojtje të tij, ka mohuar se ata kanë pasur marrëdhënie seksuale. Megjithatë, prokurorët argumentuan se ai falsifikoi një sërë dokumentesh për të fshehur kompensimin.
Shumë besojnë se kandidati republikan do të dëshirojë ta kthejë sallën e gjyqit në një arenë, në kuadër të fushatës zgjedhore. Megjithatë, gjyqtari e ka ndaluar ish-presidentin të sulmojë dëshmitarët, prokurorët, anëtarët e jurisë dhe familjen e tij.