Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha se Turqia është e gatshme të ofrojë të gjithë ndihmën e nevojshme për vendosjen e një armëpushimi të përhershëm në Gaza dhe shprehu kënaqësinë e tij që një armëpushim është arritur në Liban.
Turqia, e cila ka kritikuar ashpër sulmet e Izraelit në Gaza dhe Liban, tha më parë se kishte diskutuar një armëpushim të mundshëm në Gaza me grupin e Hamasit dhe u kishte dhënë rekomandime se si të vazhdonin negociatat, raporton Reuters.
I pyetur për deklaratat e presidentit amerikan Joe Biden, i cili dje tha se SHBA do të përpiqet sërish të arrijë një armëpushim në Gaza në bashkëpunim me Turqinë, Egjiptin, Katarin, Izraelin dhe vende të tjera, Erdogan përsëriti përkushtimin e Turqisë për këtë qëllim.
“Ne jemi të gatshëm të japim çdo kontribut për t’i dhënë fund masakrës në Gaza dhe për të arritur një armëpushim të përhershëm“, tha Erdogan në parlament.