“Italia është një vend i madh demokratik dhe di të kujdeset për veten, në respektim me Kushtetutën e saj. Kushdo, e sidomos dikush që sikurse është paralajmëruar, mund të marr një rol qeverisës në një vend mik dhe aleat, duhet të respektojë sovranitetin, e të mos i atribuojë vetes detyrën që t’i japë të tjerëve receta”
Ky ishte mesazhi që presidenti italian Sergio Mattarella i përcolli Elon Muskut, pasi miliarderi u rreshtua në krah të qeverisë Meloni për çështjen e dërgimit të emigrantëve të paligjshëm në Shqipëri, dhe ndërhyrjen e gjyqësorit të vendit fqinj, që për manjatin ishte e pavend.
Elon Musk nuk ngurroi t’i kthente Matarellës një përgjigje thumbuese. “A jeton populli italian në një demokraci apo është një autokraci e pazgjedhur ajo që merr vendimet?“, ishte komenti i tij.
Pronari i platformës X rishpërndau postimin e një ndjekësi, që shkruante se “për shkak të gjykatësve, qeverisë në Itali nuk i lejohet të dëbojë klandestinët, dhe kufijtë e vendit sipas tij, do të mbeten të hapur ndërsa të porsambërriturve do t’u lejohet të pushtojnë përgjithmonë Italinë dhe Europën”.
“Kjo është e papranueshme”, ka shkruar Musk, të cilit president ii zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, ka vendosur t’i besojë drejtimin e Departamentit të Ri të Efikasitetit të Qeverisë”, të njohur ndryshe si DOGE. Nën drejtimin e Musk, zyra e re që do të funksionojë “jashtë qeverisë”, do të këshillojë mbi situatën e departamenteve federale dhe shkarkimet e mundshme, nëse konsideron se ka ekzagjerim të panevojshëm organik.