Përshatati dhe përgatiti për Liberale.al, Laert MIRAKU
Pronari i Facebook, Meta dhe platformat e tjera në internet nuk duhet t'i detyrojnë përdoruesit të paguajnë për të drejtën e mbrojtjes së të dhënave të parashikuar në ligjin e BE-së kur ofrojnë abonime pa reklama, tha të mërkurën rregullatori evropian i të dhënave.
"Platformat në internet duhet t'u japin përdoruesve një zgjedhje reale kur përdorin modele 'pëlqimi ose pagese'", tha në një deklaratë kryetarja e Bordit Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave (EDPB), Anu Talus.
"Modelet që kemi sot zakonisht kërkojnë që individët ose të japin të gjitha të dhënat e tyre ose të paguajnë," tha ajo. "Si rezultat, shumica e përdoruesve pranojnë përpunimin në mënyrë që të përdorin një shërbim dhe ata nuk i kuptojnë implikimet e plota të zgjedhjeve të tyre."
Meta në nëntor lançoi një sistem "paguaj ose mirato" që lejon përdoruesit të ndalojnë përdorimin e të dhënave të tyre për t'u bërë shënjestër e reklamave në këmbim të një tarife mujore, një model që është përballur me disa sfida nga avokatët e që mborojnë çështjet e privatësisë dhe të konsumatorëve.
Meta ka përfituar prej kohësh nga shitja e të dhënave të përdoruesve tek reklamuesit, por ky model biznesi ka çuar në beteja të shumta me rregullatorët e BE-së për privatësinë e të dhënave.
Njoftimi i fundit erdhi pasi autoritetet e mbrojtjes së të dhënave të Holandës, Norvegjisë dhe qytetit gjerman të Hamburgut shkuan në EDPB për një opinion në lidhje me modelin "pay-or-consent" të përdorur nga Meta.
Të gjitha platformat dixhitale duhet të jenë në përputhje me rregulloren e madhe të Bashkimit Evropian për mbrojtjen e të dhënave (GDPR), e cila ka qenë në themel të çështjeve gjyqësore të BE-së kundër Metës.
EDPB në opinionin e saj argumentoi se modeli i Metës ishte në kundërshtim me kërkesën e GDPR që pëlqimi për përdorimin e të dhënave duhet të jepet lirisht.
"Në shumicën e rasteve, nuk do të jetë e mundur që platformat e mëdha në internet të përmbushin kërkesat për pëlqimin e vlefshëm nëse ata përballen me përdoruesit vetëm me një zgjedhje binare midis pëlqimit për përpunimin e të dhënave personale për qëllime reklamimi të sjelljes konsumatore dhe pagesës së një tarife në rastin kur nuk bie dakord".
EDPB paralajmëroi gjithashtu llojin e shërbimit të abonimit të paraqitur nga Meta "nuk duhet të jetë rruga e paracaktuar përpara" për platformat.
Bordi i EDPB sugjeroi që platformat të shqyrtonin një alternativë që do t'u jepte përdoruesve të drejtën për të refuzuar gjurmimin për qëllime reklamimi pa pasur nevojë të paguajnë.
Meta "jashtë opsioneve"
Kur Meta njoftoi modelin e saj të abonimit pa reklama, këmbënguli se ishte në përputhje me atë që kërkonin rregullatorët dhe gjykatat e BE-së.
Kompania Silicon Valley lejon përdoruesit e Instagram dhe Facebook në Evropë të paguajnë midis 10 dhe 13 euro (rreth 11 dhe 14 dollarë) në muaj për të hequr dorë nga shkëmbimi i të dhënave.
Mbrojtësit e privatësisë e mirëpritën opinionin.
"Në përgjithësi, Meta është jashtë opsioneve në BE. Tani duhet t'u japë përdoruesve një opsion të vërtetë po/jo për reklamim të personalizuar," tha aktivisti i shquar i privatësisë në internet Max Schrems.