Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Bernd Borchardt ka treguar për herë të parë incidentin me banorët e Astirit, të cilëve iu tregoi gishin tek Drejtoria e Policisë.
Borchardt thotë se nuk ishte në dijeni të këtij tubimi dhe kur kaloi me bashkëshorten, iu afruan disa burra, duke i frikësuar.
"Kisha dalë për shëtitje me bashkëshorten time atë mbrëmje, pa qenë në dijeni se po zhvillohej një protestë përpara Drejtorisë së Policisë, aq më pak të dija se për çfarë po bëhej protesta.
Papritmas, na u afruan disa burra, njerëzit bërtisnin duke na sharë dhe silleshin në mënyrë agresive. Më duhet ta theksoj, ishin burra, jo gra apo fëmijë, siç po pretendojnë disa media tani. Kjo na gjeti tërësisht të papërgatitur mua dhe bashkëshorten time dhe ajo, me të drejtë, u frikësua.
Nëse e shihni fytyrën e saj të tmerruar, në videon e shpërndarë gjerësisht, atëherë e kuptoni se çfarë ndodhi. Nuk e kuptuam se çfarë po ndodhte, u ndiem të kërcënuar drejtpërsëdrejti dhe u çorientuam. Mendova se ishin të njëjtët dhunues që na terrorizuan në apartamentin tonë, në katin e 12-të, në mesnatë, në maj të vitit 2019, dhe e humba kontrollin emocional për pak sekonda.
U pendova dhe kërkova ndjesë menjëherë, duke kuptuar që mund të kem fyer njerëz të tjerë, ata të cilët po protestonin përballë zyrave të Policisë dhe për ankesat e të cilëve nuk kisha dijeni. Ende më vjen keq dhe ende i qëndroj ndjesës publike që kam bërë. E shikoj tani se si disa media e vendosin këtë incident në rrotullën politike. Ky keqinterpretim bëhet me keqbesim dhe është i motivuar politikisht", ka thënë ai për "Panorama"/Gazeta Liberale