Udhëheqësit e Bashkimit Evropian kanë shpalosur një plan rritjeje për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, duke u ofruar atyre akses në pjesë të tregut të përbashkët të BE-së në këmbim të reformave thelbësore, si një hap drejt anëtarësimit të plotë në BE, sipas një artikulli të Euronews.
Njoftimi historik erdhi gjatë samitit vjetor të Procesit të Berlinit të mbajtur në Tiranë, Shqipëri.
Kombet e rajont të BP janë Shqipëria, Bosnja, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.
Në takim morën pjesë presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel, si dhe kancelari gjerman Olaf Scholz.
Tregu i vetëm i BE-së, i përbërë nga 27 shtetet anëtare të BE-së , lehtëson lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe njerëzve brenda kufijve të tij.
BE-ja e ka bërë kërkesën për vendet e Ballkanit Perëndimor që të reformojnë ekonomitë dhe institucionet e tyre politike, përpara se të anëtarësohen, duke përfshirë përmirësimin e strukturës rregullatore për biznesin , luftën kundër korrupsionit dhe eliminimin e krimit të organizuar.
Von der Leyen tha të hënën se plani i ri i rritjes së BE-së për këto vende mund t'i lejojë ato të hyjnë në pjesë të tregut të vetëm të BE-së, rast pas rasti, në këmbim të reformave të demonstruara.
Vendet do të jenë në gjendje të bashkohen me tregun e BE-së në fushat e mallrave dhe shërbimeve, transportit rrugor, energjisë, energjisë elektrike, bashkëpunimit doganor, tregtisë elektronike dhe pagesave jo në “cash”, "vetëm për të përmendur disa", tha von der Leyen.
Vendet që pajtohen me shpejtësi me reformat e kërkuara nga ana e tyre do të marrin investime, tha von der Leyen. Kreu i Komisionit tha se liderët e BE-së kanë propozuar një paketë investimi prej 6 miliardë eurosh, 2 miliardë euro grante dhe 4 miliardë euro kredi.
“Fondet do të lirohen me realizimin e reformave. Pra, është e kushtëzuar”, tha von der Leyen në konferencën për shtyp në fund të samitit. BE ka mobilizuar deri tani 16 miliardë euro investime në rajon nga 30 miliardë euro të premtuara tre vjet më parë.
“Ne duhet të shfrytëzojmë potencialin që është këtu në Ballkanin Perëndimor dhe ta afrojmë atë me tregun e përbashkët evropian,” tha von der Leyen. Duke dështuar për të ecur përpara me reformat, "i vetmi që mund të bllokoni është vetvetja," tha ajo.
Serbia dhe Mali i Zi nisën negociatat e anëtarësimit disa vite më parë, pasuar nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut vitin e kaluar. Bosnja ende nuk ka hapur negociatat, ndërsa Kosova është një kandidat potencial.
Lufta e Rusisë në Ukrainë e ka vënë integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE në krye të axhendës së bllokut prej 27-vendesh. BE-ja po përpiqet të ringjallë të gjithë procesin e zgjerimit, i cili ka ngecur që nga viti 2013, kur Kroacia u bë vendi i fundit që u bashkua. /Liberale.al/